>
BIOSHQIP

Gent Pjetri: Marrëdhënia Ime Me Saimirin, Filipin Dhe Ish-Bashkëshorten

18-07-2012
Gent Pjetri ose siç njihet nga të gjithë shqiptarët si "Doktori i Fiksit" në një intervistë të rrallë dhe të sinqertë për gazetën "Tirana Observer" rrëfen jetën tij, marrëdhënien me Saimirin dhe Filip Çakulin. Ai ndihet krenar për punën që bën dhe thekson se gjithçka e ka arritur veç me punë, punë dhe vetëm punë. Genti thotë se në rrugë ka njerëz që e lavdërojnë, por edhe nga ata që e shajnë. Saimirin e cilëson si një mik të ngushtë, dhe e vlerëson edhe si një familjar të jashtëzakonshëm, ndërsa Filipin e quan si eminenca gri i "Fiks Fare" dhe thotë me të qeshur "ashtu si domatja kur piqet ka nevojë për një shkop, ashtu është dhe Filipi për ne".

I pyetur nëse e ka menduar që mund ta braktisë ndonjëherë emisionin "Fiks Fare" ai përgjigjet se mund ta mendonte këtë opsion vetëm nëse do t'ia kërkonte ish-bashkëshortja, por meqë ata janë të divorcuar Genti duket se nuk do ta braktisë kurrë emisionin investigativ. Dhe për ta njohur më shumë Gentin edhe si artist edhe si drejtues emisioni ju ftojmë të lexoni intervistën…

Ju prezantoni një nga emisionet më të ndjekura në vend, si ndiheni nga ky fakt?

Me anë të punës dhe vetëm punë, punë, punë kam arritur deri këtu. Fillimet e mia kanë filluar që te "Radio Mania", ku aty Presidenti i televizionit "Top-Channel", i paharruar qoftë, Dritan Hoxha, na tha se do ishim ne ata që do e drejtonim emisionin më të ri "Fiks Fare". Ndihem shumë mirë dhe i kënaqur.

Tashmë u bënë vite që ju merreni me këtë profesion sa krenar jeni për atë që keni për atë që keni arritur deri më sot?

Ndihem shumë krenar, pasi bëj 15 vjet që merrem me këtë punë dhe frutet po duken, një lodhje e madhe që i bie një dekadë e gjysmë.

Sa e rëndësishme është puna që ju bëni në një media të rëndësishme si televizioni Top-Channel?

Krenar pasi është një televizion i madh me persona të mëdhenj që rrethojnë atë. E rëndësishme pasi stafi është i përgatitur i mirëfilltë.

A ndikon puna juaj për rutinën normale të ditës suaj?

Po.

Ç'marrëdhënie ka Genti ose ndryshe "Doktori i Fiks Fare", me drejtuesin Filip Çakulin dhe kolegun Saimirin? Janë thjesht marrëdhënie kolegësh apo më shumë miqësore?

Marrëdhënie shumë të mirë, Filipi është emblema e këtij emisioni dhe thelbi i "Fiks Fare:, ai është eminenca gri, një fjalë e madhe që shumë veta nuk e kuptojnë, e rëndësishme që e kuptoj unë (qesh)… Ne kemi një batutën tonë, ku mbaron shakaja ime dhe e Saimirit, fillon e Filipit dhe nuk mbaron, ndërsa kur mbaron shakaja e Filipit fillon e jona dhe s'pushon. (qesh…). Ashtu si domatja kur piqet ka nevojë për një shkop, ashtu është dhe Filipi për ne. Ndërsa Saimiri është një njeri i mrekullueshëm, një familjar i jashtëzakonshëm. Mund t'ju them diçka në lidhje me Saimirin, djalin e tij qe fëmijë e ka pas mbajtur në gjirin e vet dhe tashmë edhe pse fëmija e tij është bërë burrë sërish ai para se të flerë e mban në gjirin e tij (qesh…) Mund të them se ai është një person krejt ndryshe nga unë. Ai pëlqen të hidhet me parashutë, unë as që e çoj nëpër mend një gjë të tillë (qesh…). I pëlqejnë zhytjet në det, etj.

Ju jeni marrë edhe me muzikë, ku disa prej këngëve tuaja janë kthyer edhe në hite, muzika për ju është një pasion apo diçka më tepër?

Nuk është pasion por është profesion, pasi jam marrë me art dhe do merrem me art. Tashmë po pres Gent Pushpepën dhe Elton Dedën për të realizuar albumin tim të dytë.

Nëse do ju kërkohej të zgjidhje mes punës tuaj në media dhe pasionit tuaj muzikën, kë do zgjidhnit?

Nuk do zgjidhja as njërën as tjetrën pasi të dyja i dua dhe të dyja i adhuroj, po të ma kishte kërkuar gruaja ime se kë të zgjidhja do e bëja, por tashmë ajo është ish gruaja ime.

A të pengon puna për të kaluar kohë të lirë me miqtë dhe familjarët tuaj?

Po.

Ç'ndjesi keni kur duke pasur parasysh që prezantoni një emision kaq të ndjekur nga shqiptarët dhe kur njerëzit iu ndalojnë në rrugë ç'ju thonë?

Një ndjesi shumë të mirë, shumë veta më thonë "bravo", ndërsa shumë të tjerë edhe më ofendojnë, por jam mësuar, pasi këto i ka puna.

Ju tashmë njiheni për batutat tuaja plot humor në emision, apo për mimikën e jashtëzakonshme. Batutat i përgatisni më përpara apo iu vijnë rrjedhshëm gjatë emisionit?

Batutat nuk i përgatis, por më lindin rrjedhshëm gjatë emisionit, kjo gjë duket edhe tek kolegu im kur unë i them diçka ai fillon e qesh, gjë e cila tregon se janë të momentit.

Ka pas Genti ndonjë arsye që është marrë me këtë zanat, nëse po cila është?

Nuk kam pas. Ka lindur krejt papritur te Radio Mania siç thashë dhe më lartë.

Mund të na thoni cili është investigimi i "Fiks Fare" që juve iu ka pëlqyer më shumë?

Në momentin kur Filipi dërgoi 10 gazetarë dhe 10 kamerat e mundshme që ka pasur emisioni në atë kohë, ku na ka thënë se duhet ti bëjmë një pyetje të gjithëve, çfarë përvoje keni pas për herë të parë dhe përgjigjja ishte, ish-doktorë, drejtorë, etj, pra çuna 20 vjeç me profesion të mirë (qesh…)

Tek "Fiks Fare" punojnë një numër i madh gazetarësh në prapaskenë, por ju dhe Saimiri jeni pjesa televizive që dukeni dhe a keni marrë ndonjëherë ndonjë kërcënim?

Po, kemi marrë, por kryesorja është televizioni, dhe më pas Filipi, më pas jemi ne.

Puna që ju bëni është një punë shumë e ashpër dhe ka shumë pengesa, pasi vet emisioni është i tillë, keni menduar ndonjëherë ta braktisni "Fiks Fare"?

Asnjëherë! Vetëm po të ma kërkonte gruaja, por që…kuptohet vetë. Tashmë për mua ka rëndësi puna dhe nuk do e braktis asnjëherë.

Zakonisht publiku bëhet kureshtar të dijë se cilët janë miqtë e tu vërtetë nga kolegët si brenda "Top-Channel", po ashtu miqtë e tu jashtë ekranit? Mund të na i tregoni?

Genti ka miq për kokë, hall, sherr (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës), brenda Top-Channel thjesht shokë…
(Anisa Çela)

Gent Pjetri: Marrëdhënia Ime Me Saimirin, Filipin Dhe Ish-Bashkëshorten