>
BIOSHQIP

Gili, Një Duet Me Këngëtarin Astrit Mulaj

21-04-2013
Thuajse e takojmë çdo ditë në të njëjtin vend në Prishtinë së bashku me bashkëshortin e saj dhe me shumë miq përreth. Edhe për intervistën tonë, të cilën e mirëpret me ëmbëlsi e takuam aty, ku po shijonte një kafe me njeriun e jetës së saj.

Është kjo këngëtarja e njohur shqiptare Gili, e cila në disa minuta rrëfen për të rejat e saja, ku flet me shumë dashuri për familjen, një biznes që po e nis, si dhe për djemtë, të cilët nuk i shikon kurrë në rrugën e muzikës.



Gili tregon edhe për këngën më të re, që pritet të dalë shumë shpejt, si dhe do të donte që gjithmonë në krijimet e dashurisë të bashkëshortit të saj, ajo të ishte muza.

*Çfarë po bën Gili në këto ditë pranvere?
Gili: Po merrem me organizimin rreth hapjes së studios së bukurisë “Prishtina”, duke munduar që të plotësoj stafin. Por njëkohësisht sapo kam përfunduar edhe videoklipin më të ri ku, do të vijë në duet me këngëtarin Astrit Mulaj. Ky klip është duke u montuar dhe është realizuar nga një produksion slloveno-shqiptar.



*Gjithmonë kafen e parë të ditës me Ilirin?
Gili: E vërtetë, gjithmonë. Dita nis e mbarë kur pimë kafen bashkë dhe ulemi zakonisht te i njëjti lokal në Prishtinë dhe bëjmë edhe planet për ditën që pason.

*A është e vërtetë që të gjitha këngët e lumtura të dashurisë që krijon Iliri, Gili është frymëzimi?
Gili: Nisem nga një fjalë që thotë se “Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e suksesshme”. Pse jo, kisha dashur që muza frymëzuese e Ilirit të isha gjatë gjithë jetës.



*Do të duket çudi nëse një ditë djemtë e tu do të nisnin muzikën dhe këngën e parë do të donin ta këndonin me ty?
Gili: Shumë, shumë çudi, meqenëse kjo nuk do të ndodhë asnjëherë. Çudi e them përsëri, edhe nëse do të realizonin djemtë tanë këngë, nuk do të ishte me mua, pasi ata nuk e kanë këtë dëshirë, kanë botën e tyre.

*E lumtur me muzikën , apo është diçka tjetër lumturia më e madhe e Gilit?
Gili: Mirëqenia, familja, buzëqeshja, lumturia, shëndeti, por edhe suksesi në profesion, janë besoj çelësi i lumturisë së secilit njeri.
(Maksim Gjokaj/Kosova Sot)

Gili, Një Duet Me Këngëtarin Astrit Mulaj