>
LETERSISHQIP

Shapi

Fundkorriku, vapa të përcëllon
Erdhi shapi edhe në fshatin tonë
Bagëtia u mbyllën në stallat e veta
Fushat e livadhet ngelën si të shkreta.

Në fshat me automatikë vijnë policia
Me autocisterna të hirëta ushtria
Automjete me targa gjithëfare
Vijnë ekipet serbe veterinare.

Hyjnë nëpër stalla bagëtinë “kontrollojnë”
Thonë duhet vrarë të gjitha që dyshojnë
Buldozheri pret sikur i harbuar
Bagëtinë e vrarë n`dhe për ta gropuar.

Nuk zgjidhet as lloji as mosha
Pësojnë edhe kafshët e shëndosha
Pronarët e bagëtive i mashtrojnë
Se dëmin do t`ua kompensojnë.

-Vallë ku kemi shkelur-tha një burrë
T`këqijat nga supet s`na u hoqën kurrë
Helmime, ethe minjsh, krimba, thatësi…
Dhashtë zoti u harrofshin u gëzofshim në liri.

Gusht, 1996