>
LETERSISHQIP

Kur Zgjohej Miku Im

Kur zgjohej miku im
Mëngjeseve të vrenjtura
Fillonin përmbytjet e ditës
Dhe merrnin jetën me vete.
Tërë ditën miku im
Ngiste në vrap
Pas bukës së shpirtit.
Ca dridhje ethesh vjeshte
I lidheshin nëpër këmbë.
Binte e ngrihej.
Kapej degëve që premtonin
Dhe përsëri rrëzohej.
Kërkonte dritën e fshehur
Pas reve të ndera.
E kur nuk e gjente
Nuk humbte shpresë
E kërkonte fjalën
Kërkonte besë.
Por i ftohej shpirti.
I ftohej gjaku.
E lenin këmbët
I këputej laku.
Arrinte gjer te shtrati i natës
I gjumit pa gjumë
I ëndrrave në llum.
Dhe nesër dita tjetër vinte.
E priste të vraponte
Të ngrihej
Të binte.