>
LETERSISHQIP

Motra

Motra ime është me fat, s’ka parë kurrë të keqe në mua
Mos ia vini re nënës, e ka nga pleqëria,
Mua askush s’më ka trazuar, kurrë, asnjëherë,
As hafijet e katundit, as botuesit e mi,
Motra ime eshtë me fat, s’jam bërë lot në syrin e saj,
Unë dhe zotat i kemi folur njeri- tjetrit me “ti”
Asnjë varg s’m’u ka cenzuruar, s’më kanë përgjuar kurrë,
As në dashuritë e mia, as në udhëtimet jashtë shtetit,
Atë e kam çuar për pushime në Vlorë, Zvicër, Çanakala, Trojë,
Muzeumeve e kan’ çuar, vetë jam bërë ciceron
I kam shpjeguar kohë të largëta, shtete në unazë,
Kohë që iu kanë falur lopës si perëndisë, kohë,
Që brirët e dhisë i patën të vetmet antena të lidhjes me botën
Motra ime ka qeshur, kanë qeshur fëmijët e mi,
Lëreni nënën, është rrokatur nga pleqëria, ka strese,
Prandaj trembet sa herë unë vjersha botoj,
Lumturinë shiheni te motra ime. Pyeteni atë
Mua s’më kanë spiunuar asnjëherë, dhe motra
S’ka pasur nevojë të vrasë as burrin, as kunatin, as fëmijët
Si motra Hajrije në baladën popullore,
Në, baladën popullore që e patëm veshur si këmishën.
Unë, vetëm një herë e kam gënjyer motrën:
S’i kam treguar se kam vdekur e jam ngritur nga varri
Dhe ju, vetëm një herë ju kam gënjyer:
E vërteta është se motër s’kam patur asnjëherë!