>
LETERSISHQIP

(Mbi) Evropiane

Do të bëjmë dashuri kësaj nate, pa shtrojë e mbulojë
Hiqe nga muret hartën e Europës, të ta shtroj përfundi,
Zhvishu si hëna, krejt, se të virgjëra mbeten vetëm statujat
Dhe nxirma trupin e bardhë, t’i sfidoj dogmat, lugetërit, partitë
Mbi hartën e Evropës shtrijmu, le të cijatin maniakët,
Të kërcasin brinjve tua Metropolet, të thyhen kufinjtë,
Te shembet Muri, Aushvici, Burreli,
Nën kofshët tua të bardha të vlojë Mesdheu, anijet le të digjen
Kokën mbështete në Akullnajat, le të shkrihen ato
Largohu pak nga Franca se mos e le shtatzane
Ka boll kopile atje, s’i duhet kopili im,
Dhe mos psherëtij, se ngjall Romeon e Zhuljetën
Ç’të dhemb ashtu te brinjët? Është Vaterloja
Të bëj be, kurrgjë s’ka qenë ajo! Vaterlonë
Sonte do ta bëj. Le të japin dorëheqje presidentët
Kremlini le të dehet në hanin “Shtriga e Jugut”
E le të vjellë në Bosnje a Athinë
Shtrijmu në hartën e Europës si në një lëkurë ujku
Ta ndiejë ajo të paktën njëherë, peshën e dashurisë sime.