>
LETERSISHQIP

Për Të Tjerat Pyetni Detin

Ajo vajzë që po del nga deti
gërshetat gjarpërushe i ka pasë në zë
ashtu i paska ruajtur, skeptër antik,
po ata gjarpërinj tani s’helmojnë më.
Unë kam qenë ai fakiri me fyell
që i zbusja gjarpërinjtë e luaja me ta,
tani s’e di; a unë, a deti
mund ta shuajmë etjen që kanë ata.
S’e di. Ajo shkon krenare
me pak det në trup, me pak diell,
veç gjarpërinjtë i hidhen të shqetësuar mbi supe,
kërkojnë të dikurshmin fyell.
Po atë zë që ajo u përpoq
ta kishte të vetin, vetëm të vetin,
e donte koha. Unë ia dhashë,
për të tjerat pyetni detin.