>
BIOSHQIP

Hana Cakuli: Mashkulli Im Ideal

22-06-2012
Këngëtarja nga Ulqini, e cila ka një zë shumë të veçantë, Hana Cakuli, vjen në një intervistë për suplementin "Summer Time" në gazetën "Koha Jonë" dhe rrëfen se cilat janë projektet, risit në jetën e saj dhe çfarë duhet të ketë mashkulli i saj ideal. Megjithëse nuk ka qenë prezente në asnjë nga eventet muzikore të organizuara në Shqipëri, përsëri ajo është një këngëtare shumë e preferuar, pasi kënga e fundit "Kopshti" që e ka në bashkëpunim me aktorin e njohur kosovar, Kushtrim Hoxha, është shumë e pëlqyer. Hana rrëfen se sapo është diplomuar në Universitetin Amerikan në Kosove dhe ky është një nga evenimentet më të rëndësishëm në jetën e saj, por diçka tjetër, për të cilën ajo është e lumtur që e ka kryer me sukses, është edhe marrja e lejes së makinës. Për më shumë lexoni intervistën e plotë.

Si ka qenë gjysma e parë e vitit për ju?

Përplot me risi dhe ndryshime. Së pari, dhe ajo që është më e rëndë- sishmja për mua, jam diplomuar. Pastaj, kam marrë lejen e makinës që edhe kjo ishte diçka me shumë rëndësi. Gjithashtu kam udhëtuar nëpër shumë vende të botës si Gjeorgji, Austri, Poloni edhe vende të Ballkanit. Ka pasur jashtëzakonisht ritëm në të gjitha mënyrat, si në punë, ashtu edhe në pasionet e mia (këndim dhe moderim).

Këtë vit ju nuk ishit pjesëmarrëse në asnjë nga evenimentet e rëndësishme që u zhvilluan, pse?

Mund edhe ta kuptoni nga përgjigjja në pyetjen e parë, që isha e zënë me punë të tjera jashtë festivaleve. Unë me muzikën nuk jam ndalur, kam marrë pjesë në evenimente të ndryshme, programe, festa me performime dhe ç'është më e rëndësishmja, kam sjellë edhe videoklipin bashkë me artistin Kushtrim Hoxha, "Kopshti". Domethënë, gjithsesi kam qenë pranë publikut, dhe në një farë mënyre edhe më shpesh, pasi kënga shfaqet nëpër televizione muzikore.

Kënga e fundit e juaja ishte "Kopshti", si po pritet kjo këngë?

Mendoj se është pritur më mirë se nga e prisja. Meqenëse është një këngë specifike dhe si target kemi pasur një grup më të vogël njerëzish, mendoj se kënga ka depërtuar edhe më gjerë. Dhe ajo që më gëzon më së shumti, është mënyra konceptuale e diskutimeve nëpër komente të ndryshme, që dëgjuesit dhe shikuesit bëjnë. Pra, është një këngë që ka bërë përshtypje dhe nuk ka kaluar pa u vënë re.

E kujt ishte ideja e për të bashkëpunuar me aktorin Kushtrim Hoxha, e juaja apo e tij?

Ideja ishte e Kushtrimit. Dhe ai kishte menduar për gjithçka, për tekstin që e ka shkruar ai vetë, për atmosferën e këngës në përgjithë- si, madje ai ka dhënë edhe disa ide për skena të ndryshme të klipit. Kur Kushtrimi erdhi me të gjitha këto ide tek unë, pranova menjëherë dhe ishte shumë kënaqësi që kemi punuar bashkë. Është një artist me shpirt të madh dhe jam krenare që kam një këngë me të.

Cili është projekti juaj i radhës?

Ashtu siç thatë edhe ju është ende projekt dhe nuk dua ta zbuloj. Por mund t'u them se jam në bisedime për shumë projekte dhe ende nuk kam zgjedhur një të vetme, apo konkrete.

A ka nisur sezoni veror për ju?

Unë asnjëherë nuk kam pasur sezon për hir të së vërtetës. Së pari, sepse nuk e kam kërkuar të kem një sezon muzikor dhe së dyti, madje as nuk më kanë thirrur. Mendoj se ndoshta strategjia ime e paraqitjes dhe muzika që unë bëj, nuk janë shumë të kërkuara dhe nuk përputhen me kërkesat e tregut muzikor gjatë verës.

Së fundmi jeni lakuar për veshjet tuaja, ku mes emrave të këngëtareve që imitojnë stilin te Beyonces ishit edhe ju, çfarë mund të na thoni më shumë mbi stilin tuaj?

Së pari, mund të thotë secili mendimin e vet dhe unë nuk prekem. Së dyti, gjithmonë kam pasur idetë e mia iniciale për paraqitjet e mia. Më pas i kam diskutuar ato me disenjatorët e ndryshëm, të cilët kanë punuar për mua. Nëse ata kanë shtuar ndonjë gjë si huazim, veçse ju them që mos ta bëjnë prapë, jo vetëm me mua, por me të gjithë artistët. Të jemi vetvetja.

Po sa i përket jetës suaj private, a ka ndonjë të re?

Nuk mund të flas, sepse privatja mbetet private, do të doja që të mbetej e tillë deri në fund.

Çfarë duhet të ketë mashkulli juaj ideal?

Duhet ta dojë jetën, të punojë fort për të, me pasion dhe mbi të gjitha të dijë të më përmbushi shpirtërisht.

Po sa i përket bashkëpunimeve të reja, cili do të jetë, apo me kë?

Përderisa e thashë edhe më lart që jam në bisedime, nuk ka ndonjë emër të vetëm. Por, mund t'i them disa bashkëpunëtorë, me të cilët po flas për kompozime nga ana e tyre: Rrusta (Petrit Carkaxhiu) – vokalist i grupit Jericho, Shpat Deda, e disa emra të tjerë që dua t'i mbaj sekret…

Çfarë mendoni se do të ketë ndryshe kjo verë për ju?

Do të jetë ndryshe që nga fillimi i gjysmës së dytë të vitit. Mendoj se është momenti për t'i mbushur bateritë. Dhe kur unë duhet të vendos shumë gjëra. Andaj, do të jetë verë e qetë dhe e rëndë- sishme, sepse vetëm kështu mund të marrësh vendime të rëndë- sishme.

A do të jeni pjesëmarrëse e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë?

Patjetër që po. Me kënaqësi. Sa herë është në pyetje kombi, këndoj me shumë dëshirë. Meqenëse më jepet rasti do të doja që t'i uroja të gjithë dhe qofshim të pavarur e sa më të fuqishëm!
(Yllka Selita Koha Jone)

Hana Cakuli: Mashkulli Im Ideal