>
BIOSHQIP
Biografia
Hasan Qyqalla lindi në vitin 1961 në Bardh të Fushë-Kosovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm dhe studimet universitare i mbaroi në Prishtinë, përkatësisht në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Poezinë filloi ta shkruajë që në bankat e shkollës fillore. Më 1976 botoi poezinë e parë në revistën “Shëndeti“. Që atëherë është i pranishëm pothuaj në të gjitha organet letrare të kohës në Kosovë. Ishte themelues e kryetar i klubit letrar “Naim Frashëri“ të Bardhit, anëtar i klubit letrar “Lulëkuqet“, të Klubit Letrar të Fushë-Kosovës, të Fakultetit Filozofik etj.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, të Artistëve dhe të Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, aktualisht kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë nga viti 2013, i zgjedhur në Koblenz të Gjermanisë.
Është fitues në disa konkurse poetike, si: çmimi i parë në konkursin për “Ditën e dëshmorëve dhe Ditën e çlirimit të Malishevës” (2009), çmimi i parë nga krijuesit e mërgatës në festivalin poetik tradicional “ProKult” të Podujevës (2014), çmimi i dytë në manifestimin “Azem Shkreli” (2012), çmimi i parë te “Malli poetik 2016”, pastaj te shoqata “Mirëdita” – çmimi vjetor për poezi më 2016 etj., si dhe bartës i shumë mirënjohjeve dhe i dekoratave.
Jeton e vepron në Brohl të Gjermanisë.

Deri tash ka botuar këto vepra:

Dua të vdes shqip, poezi, “Spektri”, Prishtinë, 2004 (ribotim, 2011).
Robi i Lirisë, poezi, “Mërgimi A&B”, Tiranë, Gjenevë, Prishtinë, 2007.
Prekja e ëndrrës, poezi, “Globus R”, Tiranë, 2009.
Arkeologji e shpirtit, poezi, “Shkëndija”, Prishtinë, 2010.
Meshari modern, “ADA”, Tiranë, 2011.
Trinomi i Lirisë, album poetik (bashkautor), “Jeta e re”, Prishtinë, 201.
Një shekull dritë, ideator e autor i antologjisë (100 poetë, 100 poezi), “ADA”, Tiranë, 2012.
Buzëqeshje e trishtë, “ADA”, Tiranë, 2013.
Promenadë mërgimtare, album poetik, LKSHM, Prishtinë, 2014.
Shpirti i Fjalës, “Edlira”, Tiranë, 2015.
Vargje për Nënën, antologji (bashkautor), “Atunis” & LKSHM, Prishtinë, 2016.
Në ëndërra digjet nata, “Atunis” & LKSHM, Prishtinë, 2017.
Legjenda e dhembjes së heshtur (monografi për Familjen Salihaj), bashkautor.