>
LETERSISHQIP

Mall Për Nënën

Ulur buzë lumit Rajnë nën hijen e lisit plak
m’përshkon mall për Bardhin, për vatrën
Dy lot që më pikojnë vala vrullshëm përlan
T’i dërgoj në atë prehër, ku qava për herë të parë.

Mos u ndjej e vetmuar Nënë, lule e dashur
Shumë kam për të thënë, shkruar e kënduar për ty
Mezi na rrite ne femijët, me ninullat gjuhë bukur
Të kam më të dashurën, të vetmen në gjithësi.

Dhe kur të marrësh saçin për fli a pogaçe
Më kujto fëmijërinë, më uro si dikur fat
Kur më dhurove Abetaren the: s’do bëhesh rrugaç
Eh, valët e jetës ç’më përplasën këtu n’mëkat.

Gjithë jam krenar për ty Nënë jetë-gjata
S’turpërohem të qaj nga malli që kam për ty
Kur t’vizitoj vij me mëngjesin, kur ik bie nata
Tani ke shumë të fala nga djali yt mërgimtari.