>
BIOSHQIP

Hysni Klinaku Do Publikojë Një Këngë Të Re çdo Të Premte

29-10-2013
Ka vendosur të sjellë këngët e moçme në versionin e tij. Dhe me nga një të tillë këngëtari Hysni Klinaku është zotuar të vijë për çdo të premte. Me besimin e plot se perlat e dikurshme nuk do ta mërzisin publikun, Klinaku ka treguar për Tribuna që ripërpunimin e këngëve të vjetra ka vendosur ta bëjë për hir të fansave të tij

I etur të sjellë para publikut vlerat që dikur u kënduan, Hysni Klinaku, ka vendosur që për publikun e tij të sjellë nga një këngë për çdo të premte. Këngëtari, i cili përmes zërit të tij ka arritur të rrëmbejë shijet në një pjesë mjaft të madhe të artdashësve, ka vendosur që përmes rrjetit social ‘Facebook’, për çdo javë të rikthejë peshën e dikurshme të vlerave muzikore.

“Jam duke punuar në përpunimin e disa këngëve tona të vjetra. Këto këngë i publikoj çdo të premte në faqen time zyrtare në ‘Facebook’ në orën 18:00, të cilat më pas dalin edhe në kanalin muzikor ‘YouTube’”, kështu ka theksuar fillimisht për Tribuna ai, duke u kursyer në detajet tjera rreth këngëve që do të risjellë. “Nuk kam ndonjë repertor të caktuar. Pastaj mendojë që është më mirë që këto këngë të mbeten befasi pasi çdo të premte do të dal me nga një”.

Mendon edhe për festat e fundvitit

Arsyeja pse ai ka vendosur të punoj në ri-sjelljen dhe përpunimin e perlave muzikore, është publiku dhe njerëzit që e duan muzikën tonë të vjetër. “Këto këngë jam duke i bërë për të gjithë ata që e duan muzikën e mirëfilltë dhe këngët tona të vjetra”. Se deri kur do të vazhdojë me këtë tempo krijimesh, Klinaku nuk ka treguar. Por ai ka rrëfyer se ndjen kënaqësi deri sa këndon këngët që dikur u kënduan me ëndje. “Nuk e di se sa do të zgjasë kjo. Nuk e di a do të mërziten njerëzit me këtë, edhe pse për mua nuk është problem. Unë e kam studion time dhe me kënaqësi i përpunoj këto këngë”, ka thënë ai më tej.

Ndryshe këngëtari ka bërë me dije se është duke punuar edhe në një këngë autoriale të cilën e ka në plan ta lansojë në prag të festave. “E kam në plan që në prag të festave të vijë me një këngë të re. Mirëpo ende nuk kam asgjë të finalizuar. Nëse kënga bëhet ashtu siç e kam në mend do t’ia bashkëngjis edhe klipin, pasi që mendoj se është koha. Që në maj nuk jam paraqitur me ndonjë klip”.

Hysniu nuk ka dashur të japë detaje rreth këngës së re që pretendon ta sjell. Por megjithatë ai ka theksuar se do t’i pëlqente të kishte ndonjë bashkëpunim mes rrymave të ndryshme, siç e do trendi i fundit në skenë, pas pyetjes për mundësinë e ndonjë bashkëpunimi. “Jo nuk kam asgjë kundër. Edhe do të mund ta shihja veten në ndonjë bashkëpunim të tillë. Kjo sot po pëlqehet. Publiku po e pëlqen përzierjen e rrymave të ndryshme në një këngë dhe po rezultojnë shumë të suksesshme. Andaj pse të mos e shihja edhe unë veten në një të tillë”.
(Nita Brisku)

Hysni Klinaku Do Publikojë Një Këngë Të Re çdo Të Premte