>
BIOSHQIP

(1946-2012)

Biografia
Hysni Milloshi lindi më 1948, në Macukull të Matit. Pas shkollës 8-vjeçare në vendlindje studioi në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Pas diplomimit si oficer gjitharmësh, punon si sekretar i Komitetit të Rinisë në Korpusin e Shkodrës ku fillon studimet me korrespondence në “Luigj Gurakuqi”. Më pas dërgohet nga Ministria e Mbrojtjes për studime në Universitetin e Tiranës, ku kreu Fakultetin e Shkencave Juridiko-Politike. Për disa kohë drejtoi si kryeredaktor edhe gazetën “Studenti”. Ka punuar si gazetar dhe drejtues në organet e shtypit ushtarak, si dhe ka botuar shumë libra në prozë, poezi dhe dramë. Më 10 shtator 1991 drejton riorganizimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe zgjidhet kryetar i saj. Me daljen e PKSH-së jashtë ligjit arrestohet, por lihet shpejt i lirë dhe ndiqet nga regjimi. Udhëheq Partinë Komuniste në ilegalitet, merret me publicistikë politike, jep shumë intervista brenda vendit e në gazeta prestigjioze të botës. Milloshi themeloi në 1991 Bashkimin e Aktivistëve Vullnetar "Enver Hoxha", në qytetin e Beratit. Në Kongresin e 11-të të PKSH-së, më 4 Qershor 1995 dhe në të 12-in, më 7-8 Nëntor 1998, rizgjidhet në krye të Partisë. Ai ishte themelues dhe Sekretari i Parë, i Partisë Komuniste të Shqipërisë pasardhëse e PPSH-së. Në zgjedhjet e 8 majit 2011, Hysni Milloshi kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Hysni Milloshi ka ndërruar jetë më 25 Prill 2012 në Sanatoriumin e Tiranës, ku gjendej i shtruar për shkak të fibrozës pulmonare, nga e cila vuante prej kohësh.