>
LETERSISHQIP

Pasardhësit

Në kujtim të Abelit dhe të Kainit.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Jeta si një Virgjëreshë t'u dorzua pa kushte
dhe pa pike turpi sollët në këtë botë
fëmijën arrogant që quhet Lumturi...
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
Me dënim të Fuqive Supreme erdhe në botë,
në këtë të keqe të madhe që te gjeti,
dhe fatkeqësia të ndjek si një qen besnik.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Gjëmon rruzulli tokësor nga dëfrimet e tua
dhe i tejngopur nga deliret e Parajsës
përkëdhel instiktet e tua shtazarake.
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
Një Bibël mund të shkruhej me mundimet e tua
por Zoti i largët nuk ta dha miratimin
sepse dhimbjet e tua iu dukën qesharake.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Ke guximin të bësh ëndrra kriminale
si '' Kafe në Akropol...shtëpi pushimi në Hënë..
dhe lidhje erotike me Shën Mërinë.''
Mjerë ty Kain ..mjerë ty.
Kishe ca endrra të buta si dele të Perëndisë
që u bën kurban përpara Satanait
dhuratë për Lavdinë e Historisë së tij.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Gjithë Artin e madh vure në zemër
Serenatat delikate, Venerat lakuriqe
dhe skenat sublime të Tragjedive.
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
Hera-herës kur dremit Dhespotia e Fatit
kënaq dhe ti ndjenjat e tua të varfra
me muzikën e artistëve mediokër të rrugëve.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Çdo ditë shenjtëron kënaqësitë e tua satanike
dhe kërcasin gostitë luksoze
me meze nga thellësitë e Oqeaneve.
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
Urinë gënjen me barishte të Nënës Tokë
dhe me atë lumturinë tënde tragjike
falënderon për përkujdesjen e Perëndive.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Me trashëgimitë e tua Patriarkale mburresh
fshehur bodrumeve të botës së poshtme
dhe të vulosura me bojën e kuqe të krimit.
Mjere ty Kain ..mjere ty.
Neper sheshe u derdh gjaku i rinise tende
dicka te merrje nga kjo bote-dhe tu dhane
vetem kujtimet tragjike te Njerezimit.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Indiferent dhe i shkujdesur lartësive të Mëkatit
dashurinë tënde lypin duke u grindur
lakej dhe sahanlëpirës që presin radhën..
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
Si qen i rraskapitur bredh rrugëve dhe Iluzioneve
të xixëllojnë sytë për pak dashuri
por askush nuk do të hyjë në zemrën tënde të zbrazët.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Me sentenca të Sokratit shtyn mbasditen
para se të fillosh orgjitë në shoqërinë e Satanait
nëpër Sallone Mistike të mbytura me dritë.
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
I zhytur në dënimin tënd të përjetshëm
errësirës kërkon ide për shpëtimin e Botës
dhe rakia e thartë të gërryen mushkritë.

Lum si ty Abel..lum si ty.
Shtrirë gjerë e gjatë verandave të bollshme
në krahët e Bukurisë dhe të flladeve të Perëndimit
shkruan Eposin e magjishëm të pasioneve.
Mjerë ty Kain..mjerë ty.
Skutave të qelbura të qyteteve të mëdha
prej Kokainës dergjesh i shtrirë përtokë
mbi hirin e zjarreve të shuara të Revolucioneve.

2

Lum si ty Kain..lum si ty.
Faqebardhë mund të dalësh përpara Botës
sepse me gjithë Demonët kundër teje
si pasardhës i Prometeut munde të qëndrosh.
Mjerë ty Abel..mjerë ty.
E di mirë ti..të presin gjyqe të pafundme
prandaj shpik anije të reja Kozmike
sepse në Planete të tjera duhet të fshihesh.

Lum si ty Kain .. lum si ty.
Në dëshpërimin tragjik që të sollën Perënditë
i sigurt në drejtësinë e përjetshme
pret fundin dinjitoz të Shenjtërimit.
Mjerë ty Abel..mjerë ty.
Mos harrosh Satanain në Testamentin tënd
që të ka hapur një varr të artë
kurorë mbi të - Revolta e Njerëzimit.