>
BIOSHQIP

Irini Qirjako: Tallavaja, Një Njollë Në Muzikën Shqiptare

03-02-2012
Këngëtarja Irini Qirjako, sot është një nga emrat më të vlerësuar të krijimtarisë popullore shqiptare. E njohur për interpretimet e saj sidomos në këngën polifonike, sot cilësohet si një këngëtare që vitet e punës i kanë dhënë jo vetëm eksperiencë, por edhe mund të kritikojë dhe këshillojë brezin e ri të këngëtarëve, që të nxjerrin në pah vlerat e këngës popullore, vlera që janë përcjellë nga brezi i saj.

"Mjeshtrja e Madhe" e këngës polifonike vjen këtë herë në një rrëfim për jetën e saj artistike, si dhe vështirësitë për të ruajtur traditën shqiptare në krijimtarinë popullore, që fatkeqësisht sot po përballet me shumë dëmtime. Këngëtarja pohon se polifonia labe është një perlë, unikale në botë, dhe për këtë duhet ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi. Këngëtarja Irini Qirjako, e cila ka dekada në skenë me krijimtarinë shqiptare, pohon se sot ka dhe shumë pseudokëngëtarë të cilët jo vetëm po e dëmtojnë këngën, por për shkak të arsyeve komerciale ata kanë bërë që dhe disa emra profesionistë të largohen nga skena. Për këngëtaren, e cila identifikohet më së shumti me polifoninë, skena nuk pranon interpretime në playback por ato duhet të jenë direkt në këngë, sepse kështu arrin të përcjellësh më shumë emocione tek publiku. Një problem shqetësues që ngre këngëtarja është dhe mungesa e konkurseve me specialistë, që sipas saj këta duhet të jenë emrat që duhet të vendosin se kush duhet të ngjitet në skenë dhe kush jo, ndërsa kërkon që të ketë më shumë konkurse të këngës popullore, ku të dalin në pah talentet e vërtetë.
-Keni dekada para publikut duke përcjellë krijimtarinë popullore shqiptare e në veçanti jeni e njohur për polifoninë labe, por çfarë përfaqëson kjo për ju?
Folklori shqiptar është shumë i pasur, dhe për mua polifonia labe është perlë, dhe jo vetëm e Shqipërisë por edhe e asaj botërore, e cila është unikale në botë. Unë kam asistuar në shumë festivale ndërkombëtare të polifonisë, por kjo e jona është e veçantë dhe nuk ka masa strikte siç këndon Korsika, Italia e Jugut apo disa shtete të tjera. Polifonia labe ka një intuitë marrësi, kthyesi dhe hedhësi jo të kufizuara, por sipas zgjatjes së zërit, sikur e ka bërë një kompozitor i famshëm botëror.
-Në ditët e sotme krijimtaria popullore shqiptare po përballet me një vërshim të madh të këngëve dhe ritmeve të huaja. Çfarë mendoni sot kur shikoni këngë të tilla që prezantohen si shqiptare, por në fakt nuk janë të tilla dhe vijnë të interpretuara si tallava apo turbo-folk?
Tallavaja nuk është shqiptare. Unë kam kaq vite në skenën shqiptare dhe atë botërore, dhe për mua është një njollë në muzikën shqiptare. Mendoj që edukimi i brezit të ri me të vërtetën bëhet nga institucione, nga dikastere të larta siç është Ministria e Kulturës dhe prandaj drejtoria jonë ka marrë një nismë të shkëlqyer me këngën dhe vallen e vërtetë shqiptare. Të rinjtë duhen edukuar dhe mendoj se këtu duhet të ndihet dhe puna e institucioneve. Tallavaja është tallava, dhe sido që jetë populli shqiptar brenda genit të tij ka atë që është shqiptare, dhe në brendësi të tij ai e ndjen se kush është e vetja. Ne si artistë kemi detyrimin që ti servirim atë që është e vërtetë shqiptare. Në kohë ka ndryshime, ovulime, risi, por këto që vijnë të reja si turbo-folku, asnjëherë nuk duhet të shkatërrojnë atë që është e traditës. Edhe unë kam bërë këngë të bukura, të reja, por unë nuk kam ndërruar përmbajtjen. Si krijuesit dhe orkestruesit sot kanë një përgjegjësi të madhe për denigrimin e krijimtarisë së vërtetë. Është e dhimbshme që krijimtaria popullore po bastardohet nga emra që nuk janë profesionistë, por më parë ka pasur bastardime dhe më të mëdha, por kanë ardhur duke u eliminuar pak nga pak. Është e papranueshme në krijimtarinë artistike që të kemi huazime nga këngët greke, sllave etj. Ajo që është shqiptare është më e bukura, dhe ka disa artistë që kanë nisur të ndryshojnë, por përgjegjësia më e madhe i takon institucioneve shtetërore.
-Përballë dëmtimit të vlerave të krijimtarisë popullore shqiptare, janë shumë pak emra artistësh të vërtetë që flasin për këtë problem, pra për të kërkuar respektim të vlerave të traditës. Sipas jush, pse ndodh kjo?
Arti muzikor, si ai klasik, i lehtë apo popullor, ka një mungesë të kritikës, e cila është shumë e rëndësishme. Në vitet para '90, edhe pse ishte një kohë që kishte të këqijat e saj, kishte dhe gjëra pozitive dhe bëhej shumë për artin dhe kritikën. Në çdo periudhë duhet të ketë kritikë arti, pasi kjo nxjerr konkluzione dhe vendosen pikat për atë që është e bukur dhe për atë që nuk është e tillë, për atë krijimtari që është shqiptare dhe për atë që nuk meriton të quhet shqiptare. Fatkeqësisht këto kritika sot nuk janë, mungojnë, nuk ka debate në televizione për krijimtarinë artistike sot, dhe arti shqiptar vuan nga mungesa e kritikës. Mendoj se për kritikën duhet të ketë financime të veçanta, shteti është vendimtar në ndjekjen e politikave.
-Tashmë jeni bërë një emër i njohur në jetën artistike shqiptare, por si e shikoni sot këngën mes interpretimit në playback dhe atij live?
Unë kam një jetë të tërë që këndoj live. Kam 32 vjet në skenë dhe interpretoj live, dhe e kënduara live ndryshon shumë nga interpretimi me playback. Mund të ketë momente të veçanta kur je e detyruar të këndosh playback, por e kënduara live ka emocione të jashtëzakonshme. Ti e përjeton në moment atë që këndon, dhe jep maksimumin shpirtëror që ka kënga. Jep gjithçka, e gjithë qenia jote është tek kënga, është tek interpretimi, çfarë përmbajtje ka kënga, është e gëzueshme apo e trishtueshme, është epike etj. Me interpretim live çdo këngëtar jep maksimalisht, sepse e përjeton notë për notë, ndërsa e kënduara playback futesh në studio dhe sado që të mundohesh nuk e arrin dot atë përjetim që ke me live. Nuk e përjeton atë emocion ashtu sikur ke para publikun, i cili është frymëzues i jashtëzakonshëm. Një duartrokitje të jep fuqi të jashtëzakonshme për të interpretuar në mënyrë perfekte, por çdo gjë varet nga këngëtari.
-Shumë emra të rinj të këngës e kanë nisur jetën artistike me interpretime playback në skenë, por çfarë mund të na thoni sot për këta këngëtarë, sipas jush sa janë të aftë të përballen me interpretimin direkt në këngë?
Në periudhë tranzicioni shumë që nuk janë këngëtarë duan të bëhen medoemos të tillë. Ata shikojnë emra të merituar të këngës dhe duan të bëhen si ata, dhe kur vjen momenti që ata duhet të ballafaqohen me skenën dhe sidomos në festivale që janë me interpretim live, këta këngëtarë nuk janë të aftë për të kënduar dhe atëherë nga kjo ata i largon skena, ndërsa këngëtari që është i lindur, që është talent del dhe e këndon këngën para publikut. Një këngëtar i talentuar është më i lumtur kur interpreton live, është më emocional, më i fuqishëm, kurse pseudokëngëtarët fshihen pas kësaj. Sapo i thua një interpretim live, ata tmerrohen. Këtë unë e kam përjetuar në shumë koncerte, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Kur isha në këto koncerte sidomos jashtë, kur duhej të këndonin live, ata që nuk e këndonin këngën në këtë mënyrë nuk pranonin ta interpretonin dhe nxirrnin justifikime aprofesionale, të pabaza që nuk të bindin. Këngëtari që është profesionist edhe sikur një orë të këndojë ai i shoqëruar me një organo di të shpërthejë në këngë. Unë para disa kohësh isha në një koncert në Toronto, Kanda, dhe aty edhe pse nuk ishte një orkestër shumë e mirë, unë dija se si duhet të interpretoja në këngë, dhe zëri im depërtoi në sallë. Këtë e them sepse ai që është një këngëtar i vërtetë profesionist nuk frikësohet nga kjo.
-Çfarë mendimi keni sot për festivalet që zhvillohen në vendin tonë. Sipas jush, këto aktivitete muzikore që quhen të tillë, a e pranojnë interpretimin playback në skenë?
Unë nuk do të dëshiroja kurrë që në festival të kishim interpretim të një këngëtari në playback, sidomos në një festival që bëhet nga një institucion, sepse një televizion për mua është i tillë. Playback nuk pranohet në të tilla aktivitete, live është gjëja më brilante dhe aty edhe spektatori merr më të bukurën e këngës. Shumë herë dëgjoj nga publiku që thonë: "duam të dëgjojmë zërin origjinal". Publiku kërkon zërin origjinal dhe gëzohesh kur të thonë: "bravo për zërin". Ne sot kemi festivale që janë playback, por këngëtarët sidomos dhe të rinjtë duhet të përballen me interpretimin direkt, pasi në këtë mënyrë të rinjtë rriten dhe nga ana profesionale. Mendoj se interpretimi playback sot bëhet më shumë për shoë sesa për të prezantuar vlera të këngës, vokalin. Në një festival me playback merr pjesë edhe një që nuk është këngëtar, dhe merr pjesë vetëm se di të performojë si aktor në skenë. E kënduara live nuk të lejon të bësh të tilla lëvizje në skenë, ndërsa je duke kënduar, pasi duhet të jesh vetëm me këngën, me vokalin. Në periudhën e tranzicionit do të dilte edhe dëshira për të imituar botën. Edhe RTSH disa vite e bëri festivalin me playback, por brezi ynë ka nostalgji për këngën direkt, sepse ne aty u bëmë artistë. RTSH na ka përcjellë tërë jetën, dhe më erdhi mirë që këtë herë festivali ishte live.
-Pseudoartistët, sa i kanë larguar emrat e njohur?
Pseudoartistët nuk guxojnë të venë në një skenë që është me interpretim live. Tregu sot është mbushur me pseudokëngëtarë, por koha do ti eliminojë. Këta emra dolën me shumicë, por më pas do të fiken, sepse koha kërkon profesionalizëm dhe ata i frikësohen të kënduarit direkt, i lë koha pas emra të tillë. Në mënyrë graduale ata do të largohen dhe do të maten fuqitë e vërteta artistike. Këtyre emrave i kanë bërë punë videoklipet, por kur janë përballur me publikun ata nuk janë mirëpritur. Kjo mënyrë e të kënduarit që nuk është e drejtpërdrejtë, ka bërë që të eliminohen për momentin disa këngëtarë të vërtetë, që nuk kanë financime për të promovuar veten e tyre. Prandaj thashë pak më lart, që me playback u eliminuan ata që janë këngëtarë të vërtetë, dhe kjo është e dhimbshme.
-Me këngën, ju i keni dhënë shumë artit dhe kulturës shqiptare, por a keni ndonjë mesazh për të rinjtë që sot kanë nisur udhën drejt këngës?
E para, do të dëshiroja që në të gjitha gjinitë e artit, si në atë popullore, në krijimtarinë e muzikës së lehtë dhe në atë lirike, duhet të ketë konkurse. Duhet menaxhuar mirë ashtu si në botë. Përshembull të kemi një konkurs të përvitshëm të këngës popullore, ku të përballen vlerat artistike. Këto konkurse duhet të promovojnë vlerat e vërteta të krijimtarisë muzikore, të artistëve popullorë. Këtu ku ne jemi me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore duhet të jetë dhe qendra e konkurseve, sepse është një institucion i madh. Këtu duhet të krijohen festivale posaçërisht me elementë të rinj për të qenë live në skenë. Kështu trashëgohet brez pas brezi dhe mbetet këngëtari i vërtetë, duke i eliminuar këta që sot nuk janë artistë dhe i zënë udhën talenteve, që janë një gjë e çmuar e kombit. Mendoj se për të rinjtë duhet të ndiqen politika të veçanta, Ministria e Kulturës duhet të ketë projekte të veçanta për elementin e ri dhe duhet të jenë konkurse të vërteta, të jenë të hapura dyert për këdo që ka talent. Një konkurs i fortë eliminon ata që nuk kanë vlera. Ne si komb i kemi vlerat tek folklori ynë, që është thesar.
-Kënga polifonike ju ka dhuruar shumë në jetën tuaj artistike, por në rast se do të vijojnë këto dëmtime, mendoni se do të ruhet nga brezi i ri kjo perlë e folklorit shqiptar?
Polifonia është unikale në botë dhe ruhet nga UNESCO, dhe duhet që të futet edukimi dhe në shkolla për folklorin tonë. Duhet të jenë programe të caktuara, dhe këto mbajnë lart krijimtarinë shqiptare, për të mos u humbur.
-Deri tani folët për krijimtarinë dhe problemet e saj, por ju vetë në kaq vite me këngën a keni ndonjë këngë që e veçoni?
Kënga që unë veçoj në jetën time dhe është lapidar për mua është ajo e idhullit tim Lefter Çipa, me titull "Këngët e atdheut tim, janë ilaç more shërim". Është një këngë e njohur polifonike me tekst dhe muzikë nga ai.
-Jeta juaj artistike zhvillohet shumë pranë Ansamblit Kombëtar. Çfarë mendoni sot për të, çfarë duhet të përmirësohet më tej?
Unë do të dëshiroja që në Ansambël të kishte më shumë elementë. Duhet të shtohet numri i artistëve, unë nuk po them që të arrijnë 90 veta, por të paktën të jemi 50 artistë, dhe të jenë profesionistë dhe të mos futen mbi bazë partie. E ripërsëris, që çdo gjë duhet të jetë me konkurse, që të kenë njerëz kompetentë, specialistë për të vendosur.
-Cilat janë koncertet që ju kanë lënë më shumë mbresa gjatë aktivitetit tuaj artistik?
Koncertet që unë kam kënduar kanë qenë të gjitha të mbushura me emocione, por ato që janë dhënë jashtë vendit janë të mrekullueshme, pasi unë kam bërë me këngën që këndoj të lotojë edhe spektatori i huaj. Të arrish që të bësh të lotojë një spektator i huaj nuk është aq e lehtë, është diçka e jashtëzakonshme, sepse kënga shqiptare është aq e fuqishme sa arrin që të përlotë edhe gjermanin, francezin, italianin, amerikanin etj.
-Jeta juaj artistike është shumë aktive, por keni projekte artistike të veçanta për këtë vit, i cili shënon dhe një ngjarje të shënuar në historinë shqiptare?
Viti 2012 shënon dhe 100-vjetorin e Pavarësisë dhe është një ngjarje e jashtëzakonshme për kombin shqiptar dhe institucioni jonë ka shumë aktivitete artistike, të cilat do të zhvillohen për këtë vit. Unë si këngëtare e polifonisë po punoj për të gjetur një këngë me tekstin e 100-vjetorit të Pavarësisë, bashkë me kolegun tim Hyso Xhaferraj, i cili është i një njohës i labërishtes dhe është hedhës brilant i këngës labe. Unë kam nisur përgatitjet artistin me Lefter Çipa, dhe së bashku me disa autorë të tjerë po punoj për një material që të jetë dhe i kohës.

Polifonia që i dhuroi vlerësime në jetën artistike
Irini Qirjako sot është një nga emrat më të njohur të krijimtarisë popullore shqiptare. Për talentin e saj është nderuar me titullin "Mjeshtre e Madhe" dhe është shpallur "Qytetare Nderi" e Sarandës. Janë të shumta këngët që ka kënduar, dhe dekada me radhë ka përcjellë tek publiku vlerat unikale të folklorit shqiptar. Janë të shumta këngët që i kanë dhënë vlerësime, si "Këngët e atdheut tim, janë ilaç more shërim", "Çfarë po bën moj Marigo", "Mbeçë more shokë mbeçë", "Fustan kuqe kadife", "Të rriti mamaja", "Barbaro vasiliko", si dhe shumë të tjera të cilat kanë mbetur tek publiku. Në jetën e saj artistike ajo ka sjellë deri më tani disa albume muzikore, ndërsa nuk janë të pakta dhe bashkëpunimet me artistët e tjerë. E ftuar në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, sot këngëtarja e njohur e këngës polifonike vijon të mbetet një nga zërat më të kërkuar. Me polifoninë labe dhe me zërin e saj, këngëtarja e njohur Irini Qirjako ka bërë që muzika shqiptare të jehoi jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato botërore.
(Julia Vrapi)

Irini Qirjako: Tallavaja, Një Njollë Në Muzikën Shqiptare