>
LETERSISHQIP

Trupi Im Prej Gruaje

Në netët e gjata ku mungojnë dritat,
errësira me një masë qymyri më ngjan,
përgjoj trupin tim: rrahjet e zemrës,
ankthet që ma vrasin gjumin padashur.

Dhe s’e kuptoj përse s’mundem ta njoh,
nxehtësia më pushton si valë e nxehtë,
trupi im nuk më përket e ngatërrohen
bashkë, dy stinët, dimri me pranverën.

Ti fle i qetë pranë meje, nëpër ëndrra,
krahët e mi të zgjatur nuk të arrijnë.
Kushedi në ç’toka të largëta shkel atje
dhe s’e dëgjon thirrjen time për ndihmë.

Një ditë nuk do të njohësh tek unë gruan
që deshe, një e panjohur do jem për ty,
disi më nervoze, e heshtur dhe e menduar,
do të kesh humbur rrudhat e mia sigurisht.

Do të të vijë keq që nuk m’u ndodhe pranë,
për t’më shoqëruar përdore si një fëmijë,
të kapërcenim urën, në të cilën çdo grua
brishtësinë hedh pas krahëve përgjithnjë.