>
LETERSISHQIP

Zogjtë Qeshin Me Krahë

Nga pika të vogla, të vogla shiu
Bëhet lumi
E me hapa të lehtë zogjsh
Behari vje’.

Nga sy yjesh të dremitur
Më vjen gjumi.
E në zemër të çdo fëmije
Përralla fle.

Në supe pemësh hënë e lodhur
Pushon krahët
Ndërsa era me harpë gjethesh
Këngët derdh.

Nën shi rrezesh si ujëvare
Një yll lahet
Ëndrra vjen më merr për dore
N’shëtitje m’nxjerr.

E zogjtë qiellit këmishëkaltër
Me krahë qeshin
Dhe tek krahë i bëhen ëndrrës
Veten mburrin.

F’mijët ëmbël n’gjumë buzëqeshin,
Veç buzëqeshin
Dhe buzëqeshjet i bëjnë rreze
YLBERË THURIN!
YLBERË THURIN!