>
LETERSISHQIP

Gjurmëve Të Jetës

Kur të zgjohet kujtesa prej gjumit
dhëmbët e të pathënave do të kërcasin
si shpata e Demokleut
mbase
dashuria mund të më dërgoj ftesën
e re, për zgjim
unë do të eci gjurmëve të jetës
nëse është e vërtetë se
po jetojmë diku

një here kuptimi ishte në fillim
të kuptimit të vet
kur çdo gjë fillonte nga Unë e Ti
si lindja e Diellit, në lindje
ose ndoshta
secili bënte punën e vet
puna ime ishte me të dashtë pa kufij
e besoj
njësoj edhe për ty, kësi soji disi
nëse e vërteta ka dashuri, në dashuri

kur harresa gjuan me vite dritë largësi
zbrazëtirës mes nesh do të banojmë
ta kapim njëri-tjetrin ngryke, ose
do të harxhohemi në vetmi
pa pasur diku pak guxim
që guxon me dashtë edhe më shumë.

Romë, Itali. me 23 Prill 2016.