>
LETERSISHQIP

Një Ditë Kur Të Jem Merzitur

Një ditë
kur dëshira të jetë mërzitur
në mendjen time
nuk do ta duroj më pritjen
as nuk do me tremb më pandemia
mbyllur në karantinë, me mendimet dalë,
shqepur gjithandej nëpër horizonte,
ditët e netëve
netët e ditëve po kalojnë nëpër mua
e Unë…
Unë vetëm po numëroj dëshira.

Një ditë
kur të kem emigruar nga vetja ime
mos më kërko atje
në të miat banime
shko
kërko në ty diku

mund të jetë zvogëluar bota
të m’i zë më lehtë dashuritë
dhe dashurinë time ta kesh
për vete
po gërmojnë dëshirat e mia…
dëshirat për ty.
Një ditë
kur fytyra ime të jetë zbardhur
në mungesë Dielli e drite,
do ta vizatoj verën me vapë
në plazh, a në Rugovë
vetëm e vetëm
bashkë të diellosemi.

Një ditë
kur fytyra jote të jetë mërzitur
nga mungesa ime,
do ta shkruaj vendimin koha
si sot, si një herë tjetër
e jona është dashura.

Një natë
dëgjimit time, heshtja do t’i bije
kapërcimeve të gjërave do të marshoj,
ardhjeve do më gjesh
por i përhumbur në jashtë vetës,
e Ti mos u shqetëso e dashur
merri shkrimet e mia, në kohë pandemie,
aty na gjej, bashkë
rrugëtojmë për pak dashuri ilegale
ilegale, jo për dashuri,
por prej virusi covid 19.

Në kohë të tilla
edhe dashuria është ilegale.
Prishtinë, 2 prill 2020