>
LETERSISHQIP

Në Ketë Vend Vetëm 90 Minuta Liri I Ke

Më bëhet se nuk jetoj këtu
po në një diku që s’është askund
në një horizont me hapësirë
të gjerë në zhbërje
më habit vetvetja
pse na mjafton kaç pak liri

kur në ditë ke sall 90 minuta liri
tërë kohën tjetër, lirinë brenda katër mureve
dhe TV-të që japin lajme të zeza
derisa të bindesh,
të mjaftohesh me fatin
se je gjallë
ani pse lirinë ta qeverisin
sipas parimeve:
Ti hesht, Unë jetoj për ty,
në ketë vend vetëm 90 minuta liri i ke

këto ditë më bëhet
sikur banoj në fund të kuptimit
nga të cilat ditë
po lexoj tregimin e trishtë të çudisë,
pastaj
po i kërkoj durimit fuqi
se liria ndërron orar
mos u anko, derisa lirinë e merr si ilaçet
me orar të caktuar, një herë në ditë

i humbur përballë vetvetes
në robërinë time me orar të saktësuar
tek pres tërë ditën për at 90 minutëshin
që ta pi pak liri për shëndet të izolimit

këtu pra
në vendin tim po jetoj
ku përditë ballafaqohemi me orët
e orarit, i cili ndryshon çdo tri ditë
e duhet të mjaftohem
me vetëm 90 minuta liri
edhe atë, deri në dyqan
për të blerë gjëra të domosdoshme
nëse patjetër u dashka jetuar.
Rruga “Tringë Smajli”, Prishtinë, 20 Prill 2020