>
LETERSISHQIP

Nga Brendia E Jashtes

Nga dritarja e jetës
e sotmja shikon të nesërmen
një gjuhë të përbashkët, kanë dëshirat
alfabet dashurinë

nga dera e shkuarjes
vijnë njerëz që nuk i do shikimi
tutje, lumi i të pathënave vërshon
ku dreqin banon koha

përplot mbushen zbrazjet
unë jam rruga, ti ardhja?
Hajde këtu në oborrin e pritjes
jeta mirëpret banoret e vet

prej syve të ditës
qielli lagu qerpikët e pranverës
kush e shpërfill brendinë nga jashtë
jashtë vetës ka mbetur

nga brenda lëkurës njerëzore
kam qenë dëshmitar i historisë fanatike
sa e sa kohë kanë banuar në mua
dhe s’janë më

qëllimi ka do kohë që është zgjuar
nga gjumi i ëndrrave të veta
arsyeja ka humbur që moti
e koha po luan me rregullat e lojës

o ju që vini pas nesh
në doni të keni rrugën tuaj
mbajani tjetër drejtim.
Auderghem Pranverë 2015