>
LETERSISHQIP

Pafundësisht Shtrihet Në Kohë Jeta

Kur isha fare i ri
mendoja shkurt
për gjërat e gjata
që i ka jeta
i kërkoja vetës
t’i mbërrijë anët e kundërta
në horizont
ta ndërtoj një sipërfaqe
ku mundet, shlirë
me jetua bota

për çudi
për gjërat e shkurta
gjatë mendoja, sikur
nuk e dija ku është koha
në cilin skaj të ngjarjes
banon e vërteta

të vërtetës i konkurron shumëkush
madje, e klasifikojnë si
e vërteta relative, mesatare
pafundësisht shtrihet në kohë
e pavërteta

e sotmja ime, rri urtë
për të kaluarën mund të bisedojmë
t’i afrojmë kundërshtimet
të nesërmes mos i thuaj gjë
mos i trego se i beson, sado pak
mos, se mbase mund te të mashtrojë
edhe vet koha

koha pikturon vetveten
shpresë në njeriun, ktheju njeriut
nuk ke pse më humbë, pse tretesh
Ti po deshe shko në realitet, dashuri,
në iluzion po deshe,
mos i kallxo se jeta është vetëm ëndërr
shtrihet nëpër horizontet
e mundësive të kufizuara.

drejtpërdrejt nga këtu
e ardhmja raporton për ngjarjet
që presin me ndodhë
e vërteta shtrihet pafundësisht
në kohë

Mos i trego kujt
ti koha ime
se jeta është një lojë me hile.
Lisbonë Portugali, Maj 2014