>
BIOSHQIP

Joana: Jeta është Treguar Bujare Me Mua

17-05-2013
E çiltër, e bukur, e sjellshme… e lumtur. E tillë vjen në intervistën tonë Joana Smakaj, këngëtarja e cila edhe pse nuk numëron dhjetëra këngë në repertorin e saj, ato që ka lançuar deri më tani janë ngulitur thellë në memorien dhe shijen e publikut shqiptar. “Zemrën ndeze” është një nga hitet më të pëlqyera jo vetëm nga dashamirësit e muzikës, por edhe nga vetë ajo. Do donte të ishte më aktive në tregun muzikor, do donte të merrte pjesë më shpesh ne festivale, do donte të mos ndahej asnjë çast nga emocionet që i dhuron skena, por angazhimet familjare dhe ardhja në jetë e Parisit mbeten prioriteti i saj. Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një shkëputje dhe jo braktisje. Për fansat e saj Joana bën një premtim: “Së shpejti do vij tek ju. Më ka marrë malli për skenën, për publikun, për emocionet që të dhurojnë duartrokitjet dhe besoj se shumë shpejt do jem pjesë e ndonjë eventi muzikor”. Lidhur me dashurinë për muzikën, familjen, miqtë, raportin me kolegët, të bukurën si dhe shumëçka nga përditshmëria dhe martesa e saj, Joana Smakaj flet më poshtë për lexuesin e “Koha Jonë”. U bë pak kohë që nuk ju shohim aktive në muzikë Joana. Pse? Është e vërtetë, por e gjithë kjo vjen për shkak te angazhimeve familjare. E them me sinqeritet që më mungon skena dhe emocionet që merr nga eventet muzikore. Por në kohën e duhur dhe në skenën e duhur mund të surprizoj. Ju ka marrë malli për skenën dhe kur do ju shohim në një festival? Më ka marrë shumë malli dhe mendoj se shumë shpejt do jem pjesë e tyre. Keni lançuar disa këngë deri më tani dhe të gjitha kanë rezultuar të suksesshme. Po për ju cila mbetet më e dashura? I dua të gjitha këngët e mia, pasi secila mendoj ka qenë e veçantë, por kënga e parë “Zemrën ndeze” mbetet më e dashura për mua. Edhe për publikun besoj, pasi e konfirmoj edhe nga klikimet dhe komentet e shumta që ka marrë. Që një këngë të sigurojë suksesin ne treg, i duhet dhënë prioritet më shumë vokalit të këngëtares, apo bashkëpunëtorëve të saj? Sigurisht që për të blerë patentën e suksesit në treg duhet të kesh vokal, pra të jesh i sigurt për cilësitë e tua si këngëtar, por edhe menaxhimi ka shumë rëndësi. Këtu hyn zgjedhja e duhur e komponenteve të tjerë, si dhe lançimi. Nga gjithë këngët e kolegeve tuaj të prezantuar në publik kohët e fundit cilën do vlerësonit si më të bukurën? Nuk do isha e drejtë pot ë jepja një emër këngëtari dhe titullin e këngës, por di të them që kohët e fundit janë prezantuar këngë shumë të bukura, disa prej të cilave tashmë janë hite dhe I dëgjojmë kudo. I komplimenton kolegët Joana? Sigurisht që po. Kur janë për t’u vlerësuar në çfarëdolloj mënyre të mundshme e bëj me kënaqësi. Nuk jam natyrë egoisteje, apo xheloze. Kur diçka është e bukur e shpreh hapur. E kam bërë e do vazhdoj ta bëj. Si është raporti juaj me ta dhe cila është mikja juaj më e mirë në muzikë? Korrekt. Kam plot miq në muzikë dhe respekti mes nesh është reciprok. Besoj se kam arritur të mbaj një marrëdhënie dashamirëse me ta. Ka Joana ndonjë këngëtare, apo rrymë muzikore që s’e duron dot? Po, kam. Muzikën jazz nuk e duroj dot (qesh). Tallavaja e miksuar me ritme “house” ka hyrë fuqishëm në tregun muzikor shqiptar. Si e gjykoni këtë fenomen? Duke qenë se jemi ballkanas është normale që preferencat e shqiptarëve të anojnë në rryma të tilla. Do të gjykoja vetëm ato këngetare që këndojnë tallava thjesht për t’i ftuar nëpër diskoteka, por që në fakt nuk kanë lidhje fare as me atë lloj rryme. Pra gjykoj si të padrejta krijimin e këtyre këngëve për qëllime përfitimi dhe aspak talenti. A është në planet tuaja një këngë e re, apo duet? Kam shumë plane në mendje dhe jam e sigurt që me ndihmën e Zotit do t’i realizoj të gjitha një e nga një. Sa të më rritet vajza edhe pak dhe do jem pranë publikut me krijime te reja. Me kë do të donit të realizonit një duet? Pse? Janë disa emrat që do doja të realizoja bashkëpunime. Sigurisht që me emrat që kanë krijuar identiet muzikor dhe që kanë realisht talent do doja të bëja duete. Dalim tek familja Joana. Vitin që kaloi, familjes suaj i është shtuar edhe një anëtar. Cfarë do të thotë për ju ardhja në jetë e Parisit? Ardhja në jetë e Parisit, e cila ditën e mërkurë mbushi 1 vjeç ka qenë dhe është bekim për familjen time. Prania e saj mes nesh do të thotë dashuri, shumë dashuri dhe një lumturi e papërshkrueshme. Ato që janë bërë nëna e kuptojnë mirë ç’dua të them. Me kë është më e lidhur ajo, me ju, apo me bashkëshortin? Pjesën më të madhe të kohës e kalon me mua dhe normalisht është më e lidhur me mua, por dhe me bashkëshortin është shumë e dashur. Kur i shoh të dy duke luajtur me njëri-tjetrin mbushem me gëzim, pasi ajo është në gjendje të të çlirojë nga çdolloj stresi. Po djali, Aroni? Eh, Aroni. Gëzimi i parë është i lidhur fort me të dy ne. Tani është rritur dhe për shumë gjëra më është bërë krah. Kur kam ndonjë punë të shpejtë në kuzhinë ma mban ai Parisin. Emocionohem shumë teksa i shoh që ledhatohen. Janë skena të magjishme. Raporti juaj me bashkëshortin. Tradicional, apo modern? I ndërthurur. Jemi shqiptarë dhe sigurisht që nuk mund të dalim jashtë kornizave të tradicionales, por është vërtetë bukur kur këtij raporti i jepen edhe nuanca moderne, në kuptimin e mentalitetit i cili tashmë është zbutur për të gjithë. Çfarë vlerëson më shumë tek karakteri i tij, po ai tek ju? Çiltërsinë dhe respektin për familjen. Këto dy cilësi i ka të shenjta. Çfarë është dashuria për ju? Ndjenja me e bukur, më sublime dhe më e pastër që Zoti i ka dhënë njeriut për ta provuar. Çfarë e bën një martesë të suksesshme sipas jush? Mendoj se një martesë të suksesshme pikë së pari e bën komunikimi, dashuria dhe respekti për marrëdhënien në çift. Pa këto elementë martesa është e destinuar në mos-funksionim. Ka armiq martesa? Sigurisht që ka. Armiqtë e martesës janë xhelozia që kryeson listën (pa arsye kuptohet) disniveli kulturor, mungesa e komunikimit dhe kuptimi i njëri-tjetrit. Pushimet e verës po afrojnë. Keni bërë plane ku do i kaloni? Mezi po i presim. Po, kemi bërë në plan të ikim në Turqi këtë vit, pasi është vendi i përshtatshëm edhe për fëmijët. Mund të pushojmë, ndërkohë që ato luajnë, mund të pimë një kafe qetë ndërkohë që ato lahen në pishina, etj.. Nënë e dy fëmijëve, por me një fizik perfekt. Bëni palestër Joana dhe sa i rëndësishëm është për ju kujdesi estetik ndaj vetes? Faktikisht unë nuk bëj palestër, por ta siguroj që në palestër do harxhoja më pak kalori sesa harxhoj duke u kujdesur për Parisin (qesh). Kujdesi ndaj vetes sigurisht që është shumë i rëndësishëm dhe personalisht tregoj kujdes maksimal ndaj dukjes dhe shëndetit gjithashtu. Dita e Joanës. Kur zgjohesh, cila është gjëja e parë që bën? Dita ime nis herët dhe mbaron vonë. Gjëja e parë që bëj në mëngjes është “terapia” ndaj vetes, higjiena dhe kafja. Pastaj zgjohet vajza dhe i përkushtohem asaj gjatë gjithë ditës, sepse ende është e vogël. A është treguar bujare jeta me ju Joana dhe për çfarë e falenderoni Zotin më shumë? Oh, jeta është treguar shumë e mirë me mua dhe falenderoj Zotin për çdo gjë që kam. Këtë gjë e bëj.
(Albina Gjergji Koha Jone)

Joana: Jeta është Treguar Bujare Me Mua