TEKSTI ORIGJINAL

1.
Dikur kam njohur një turkeshë
Nga vend i largët Adana
Me sy të zez e vetullzezë,
Me flokët lyer me këna.

Ajo në vesh më pëshpëriste
Si fërfërima në zabel,
Po fërfërima ishte turqishte
Si varg divani: “Çok gyzel!”.

Çudira pranë saj mendoja,
Çudirat merrnin rrugën vrap,
Këtë turkeshë tek pushtoja
Unë Anadollin bëja zap.

Nga buzët rridhte një turqishte,
Siç rridhnin rimat në gazel;
Turkesha këngë pëshpëriste:
“Ah, arnaut, gjyzel, gjyzel!”.

2.
Turkeshë e dashur, kjo që ndodhi
Të kishte ndodhur atëherë,
Kur Krujën digjte Anadolli,
Ç’do kishim bërë moj e mjerë?

S’do mend që kokën Skënderbeu
Ma kishte prerë si karpuz:
“Tani kur flakë digjet dheu,
Ti puth turkeshën, mor domuz?”

Dhe ti mbi trupin tim do bije,
Do shaje Krisht e Muhamet,
Mes kujës faqet do t’i çirrje;
“Ah, arnaut, medet, medet!”

…por gjer këtu s’do kisha rënë,
S’do kisha kohë për sevda,
Pusi diku do kisha zënë,
Atje mbi muret në kala.

3.
Kjo histori është e trilluar,
Kur isha larg në Adana,
Betohem, hiç s’kam dashuruar
Ndonjë turkeshë me këna!

E ku ta lija një lanete,
Një xhinde Shkodre, një kaproll,
Ajo me not do çante dete
Dhe do më gjente në Anadoll.

Po kjo s’do të thotë që s’i dua
Syzeskat turke si gazel,
Kur çel si bahçe, rrjedh si krua
Nga buzët verbi “Çok gyzel!”

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024