TEKSTI ORIGJINAL

Zemrës vëri dry të rëndë
E ashtu t’mbyllur ma dhuro,
Se aty brenda, në një kënd,
Ritmin tënd do t’ndjek kudo.

Porse portën lëre hapur,
Sonte nuk na nget njeri.
Jeta jote qiellpërflakur,
I dha times dashuri.

Sonte nuk do të vinë kusarë,
Të na e vjedhin dashurinë.
Askush grushtat s’m’i ka marrë.
Le që bosh kemi shtëpinë.

Po s’do të vinë as trafikantë.
Në portë t’hapur nuk ndalojnë.
Postoblloqeve me çantë,
Klone e shtigje ata kërkojnë.

S’do t’na vijnë as ryshfetçinj.
As na njohin, as i njohim,
Ndonse shtuar janë si minj,
Larg nga hunda e tyre s’shohin.

S’do të duken as ushtarë,
Dhëndurë luftrash. Ëndërrojnë.
Se janë larg për pak dollarë,
Pa e ditur në shpëtojnë.

As malësorë nuk do të vijnë.
Puthin gjumin në rrethina.
Lodhur, humbur gjer n’agim,
Se kanë zor në këto cekëtina.

S’do të vinë as dhe lypsarë.
Dashurohen fushës, jashtë.
Për jorgan, kanë qiellin mbarë,
Për dyshek, një grumbull kashtë.

Sonte s’do t’na vijë kërkush.
As spiunë s’do t’na bezdisin.
Ky ushqim syrin s’ua mbush.
S’është për ta, nuk e gëlltisin.

E po erdhi policia,
Në këtë portë të hapur, natën,
Le ta dijë, është dashuria.
Ajo e largon shamatën.

Sonte nata është e jona.
Ndiz qirinjtë! Besë e shpresë.
Hapi sytë, largoje gjumin,
Gjersa yll në qiell mos mbesë.

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024