TEKSTI ORIGJINAL

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
- Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m'u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m'u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjeter mori në dyqan
Dhe më tha: " Më shaj, për besë, prapë!"
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: " Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s'blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s'e kam ndjerë,
Fjala shqipe s'blihet në pazar!"

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s'kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara.

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024