TEKSTI ORIGJINAL

E thadërt kjo mbrëmje. Pjesa metalike e saj godet muzgun
e një zogu që kacafytet me rrugën e mbushur plot thërrime,
prej turistëve të shumtë në Uaterlu, Londër.
Xhamat janë mbingarkuar nga shkronjat e mëdha. Një stinë djerse,
reklamon përtej kollareve dhe këmishave
një lloj antidjerse që unë s’e duroj
poshtë krahëve të mi të bërë ujë
dhe bojëprodhues thagmë të verdhë
që bëjnë gjithçka për të hedhur sytë mbi vitrinë
ku shiten këmisha speciale për këtë stinë.
Nga larg zhuritet ngadalë i njëjti mesazh,
një sinfoni vale,
jehonake e thadërt si dallga mbi Tamiz,
pas shpine e diktuar të gjëmojë e vërteta
për dikë që është në të njëjtën lojë
të përhumbur mbi mëndafshin e larë
nga duar të njëjta. Gjethi i daljes së re
është dashur të guduliset pas qelqit
ku shfaqet e zhduket portreti femëror i dreqit,
i fshij sytë e afrohem të shikoj më afër
ndërtesat janë ulur në gjunjë me një lutje të vjetër
duke hedhur shënimet e panjohura në letër,
kaq e thadërt një ëndërr si krisma
pas qelqeve të mbushura me izma.
Një profesionalizëm që mbin nga një ekran qelqi,
në stinën më lakuriqe të vitit,
pështjell ëndrrën time të zhytur thellë mes detit,
ndoshta është edhe zmalti i brendshëm i shpirtit
si ai izëm i dentistit,
që paguhet për të prodhuar bardhësinë e humbur,
të dhëmbit të gërryer prej krimbit.
Më në fund dëgjoj atë që s’është folur asnjëherë,
të rregulluar me morfologji, sintaksë e rregulla rime,
hyj ngadalë e bëhem palë mes fjalëve,
e gjitha zjarr, e gjitha intime,
si një thadrimë e shkëputur prej metali
midis penës dhe letrës ku hedh shënimet.

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024