TEKSTI ORIGJINAL
Nuk dijmë gjë për depresionin planetar,
Nuk dijmë gjë për gricjen e zemrave.
Nuk dijmë gjë, hënës ç'i ndodh,
kur e tradhtojnë yjet.
Nuk dijmë gjë,
ç'ndodh
në çastin e mbarsjes së çastit me çast.
Nuk dijmë gjë
si i bëhet rrjedha rrjedhës rrjedhë.
Nuk dijmë gjë, në mbështetemi ne mbi ditët,
a ditët mbështeten mbi ne.
Praninë e gjumit e ndiejmë,
e nuk dijmë gjë, a shtrihemi ne mbi gjumin,
a gjumi shtrihet mbi ne.
Nuk dijmë gjë për kalërimin kozmik,
nuk dijmë gjë për forcën e tërheqjes,
nuk dijmë gjë për ekuilibrin dashuror të çastit me çast,
të planetit me planet,
të trupit me trup,
në qiej e kudo.
Nuk dijmë gjë
pse ne qëndrojmë e ujërat derdhen.
Nuk dijmë gjë për të këtejshmen e të përtejshmes,
nuk dijmë gjë për të përtejshmen e të këtejshmes.
Nuk dijmë gjë,
në vijmë a shkojmë.
Nuk dijmë gjë për zënkat e luleve,
nuk dijmë gjë për klorofilin e dhembjes.
Nuk dijmë gjë,
n'i lëmë mbrapa
mbetjet tona,
mbetjet tona n'i ndjekim ne,
a mbetjet tona na ndjekin ne.
Boboooo!!!!
Sa pak na ke zbuluar nga vetja, ynëZot!
Sa shumë na ke zbuluar nga vetja, ynëZot!