TEKSTI ORIGJINAL

1.
Më thoshte gjyshja: - Kjo
përrallë
ka lindur qindra vjet më parë,
kur në çdo fshat, në çdo shtëpi,
kish bukë pak e shumë uri,
kur s’kish pension, azil për pleq,
kur pleqtë rronin mos më keq;
kur pasanikët vinin dhjamë,
se s’bënin punë, po vetëm
pallë…

2.
Aty në anë të një are,
në një shtëpi të vogël fare
që ish nga fshati një orë larg,
rronin një plakë edhe një
plak.

Na kishin pasur dhe dy bija,
po i martuan që të dyja
dhe i martuan shumë larg
ndaj ngelën pleqtë fillikat.

S’ka kush t’u mbjellë farën në
arë,
s’ka kush t’u sjellë dy dru për
zjarr,
s’ka kush t’u vejë në mulli…
Ah pleqëri, moj pleqëri!

3.
Kur vjeshta dalëngadalë
po nisej n’udhëtim
dhe dimri flokëbardhë
po vinte me thëllim,
një natë pranë oxhakut
i thotë plaka plakut:

- U boshatis hambari,
na mbeti trok shtëpia,
si do na vejë halli?
Do vdesim nga uria,
ndaj shko te çupë e madhe
dhe qaja këto halle!

Sa çeli ditë e re
ky plaku na u nis,
bastunin në një dorë
e thesin në kurriz.

Dhe ec e ec e ec
kaptoi katër male,
të nesërmen në drekë
arrin te çupë e madhe.

Kjo çupa e gëzuar,
në çast e theri pulën,
në çast e mbrujti bukën,
në çast e ndezi furrën.

Piu e hëngri plaku,
po pulën s’e ngacmoi.
Tha: - Fute në shami
se plakës do t’ia çoj!
Gjë tjetër nuk kërkoi,
po çupa… e kuptoi.

U çua në mëngjes
i tha: - Dëgjo, baba,
këtë e ke peshqesh…
E dini se ç’i dha?
Një kungull, jo një pjepër.
E tjetër? Asgjë tjetër!

Dhe plakut s’iu durua
ndaj foli gjithë mërzi:
- S’ia vlente për një kungull
të vija gjer te ti…

Po çupa buzëqesh:
- Kujdes një porosi,
ta nxjerrësh nga ky thes
veç brënda në shtëpi
e thuaji kështu:
“O kungull, shtro këtu!”

Dhe çupa me babanë
gjë tjetër më nuk thanë,
u puthën e u ndanë.

4.
Ec e ec babai plak
rruga ishte shumë e gjatë,
ndaj u ul të çlodhej pak.

Mes një pylli në lëndinë,
duke nxjerrë nga llulla tym
fap! i shkrepi një mendim.

Shpejt e shpejt thesin e merr
edhe kungullin e nxjerr,
ta provojë vetëm një herë.

I mbështetur te një dru,
foli plaku ja kështu:
- Shtro, o kungull, shtro
këtu!

Në mes të lëndinës,
sa hap e mbyll sytë,
u shtrua një sofër
me gjithë mrekullitë.

Në tasa, në pjata
gjellët lloje-lloje,
eh si avullonin,
lëre, ç’të shikoje!

Plaku fshiu sytë
dhe tha: - Dreq - o punë,
pa të shkul mustaqet
se mos jam në gjumë…

Mustaqet i shkuli
sa thirri “oi”.
Sofra plot me gjellë
ishte prapë aty.

Plaku s’hëngri fare
edhe prapë u ngop,
sofrën e la shtruar
se s’e merrte dot…

Kungullin në thes,
thesin në kurriz,
bastunin në dorë
edhe prapë u nis.

Nuk shihte ku shkelte
mbi gurë e mbi cfaka
dhe thoshte me vete:
“Do çuditet plaka!”

5.
Doli plaku përkarshi
edhe thirri: - Dil, moj plakë!
- Nuk dal dot, nuk kam fuqi
se s’kam vënë gjë në bark!

Hyri plaku në shtëpi
vuri thesin përmbi vatër,
shikon plaka me habi,
i hap sytë e i bën katër.

Kur pa kungullin në thes
vari buzët me mërzi
edhe foli me përtesë:
- Ç’na ke sjellë, o ditëzi?

- Ja, një kungull të kam sjellë
që ta bësh byrek zotrote.
- Nuk e dua atë gjellë,
kungullin si …koka jote!

Qeshi plaku qetë-qetë:
- Ah, moj plakë, mos folë
kështu.
Pastaj kungullit i flet:
- shtro, o kungull, shtro këtu!

Pa mbaruar fjalët plaku
erdhi sofra prapë aty,
ngriu plaka te oxhaku
hap e mbyll ata dy sy…

Futi gishtin n’ëmbëlsirë
e lëpiu mirë e mirë,
kur e pa që ish e ëmbël
e kuptoi që s’qe në ëndërr…

6.
Ikin ditët, ikin shpejt,
eh sa mirë që rronin pleqtë!

Rri e rri plaka një natë
i thotë plakut: - Dëgjo, plak,
ne dy dasma kemi bërë
po s’i ftuam dot të tërë
meqë ke ditlindjen ti,
a nuk shtrojmë dhe një
gosti?

Po mendon plaku dhe thotë:
- Mirë, moj plakë, prishur
mos qoftë,
kungullin e kemi gati
le të vijë gjithë fshati.

7.
Erdhi fshati në gosti
burra, gra, pleq e fëmijë.
Me biseda, me shakara
prit e prit... asgjë përpara!

Doli plaku flokëbardhë
mbante kungullin në dorë...
Plasi gazi: - Hi, hi, hi,
me një kungull një gosti,
keni parë a s'keni parë,
s'do na bjerë asnjë farë!

Foli plaka flokëbardhë
njëzet e ca herë me rradhë:
- Mos përto, o kungull, shtro!
Edhe kungulli s'përtoi
njëzet sofra plot i shtroi.

Mbushur sofrat anekënd,
që të gjithë ngelën pa mënd.
Hëngën, pinë e kënduan:
- Dhe një qind! - plakun uruan.

Kur afroi të bëhej natë,
gjithë u nisën për në fshat.
Ngaqë kishin ngrënë shumë,
s'donin darkë po vetëm gjumë,
ca në shesh, ca në minder
i zuri gjumi menjëherë.

8.
Në gjithë fshatin një njeri
nuk po vëka gjumë në sy...
Lëviz trupi, dora këmba
sikur ka dysheku gjemba!

O po ky qenka Maksuti,
një hajdut e bir hajduti!
(Ish aga, me shpirt të lig,
dhe nuk kish kungull
magjik...)
Flet me vete, ziliqar:
"Këta pleq kanë një thesar,
unë që sonte do t'ua marr!"

Ngrihet natën me kujdes,
fut një kungull në një thes,
niset rrugëve të fshatit,
zbret si gjarpër monopatit,
ec e ec kjo farë e keqe
mbërriti te shtëpi e pleqëve.

9.
Të dy pleqtë zemërmirë
fikur zjarrin, n'errësirë,
zhytur në dyshekë brenda
bënin gjumë e shihnin ëndrra...

Vjen Maksuti qen bir qeni
derën shtyn dhe te sergjeni,
kungull lë e kungull merr
dhe largohet bëhet erë...

10.
Dielli me rreze
malin e përflaku,
na u zgjua plaka,
na u zgjua plaku.

Dolën të freskohen
përpara shtëpisë,
nëpër arë duken
gjurmët e gostisë...

- Kemi punë, - thotë plaku,
- do pastruar ara,
po thirre të vijë
kungulli përpara,
të na shtrojë mëngjesin,
të na sjellë kafetë,
pastaj i bëjmë punët
siç e dimë vetë.

Kungullin e sjellin
përpara shtëpisë:
- Kungull, shtro këtu!
Kungulli s'lëviz.

Ç'pati vallë, ç'pati
qe s'jep bukë e mish?
Ndoshta iu mbaruan
gjithë ato që kish...

U çuan të dy
pa thënë asnjë fjalë,
mblodhën copa buke
te sofrat në arë,
i thanë në diell
i vunë në hambar.

11.
Maksuti pas ca ditësh
te rruga kryesore
ndërtoi një dyqan
dhe hapi një gjellëtore.

Ndalonin udhëtarë,
kalorës nga çdo anë,
paraja derdhej vuuu,
Maksuti vinte dhjamë...

12.
Te kjo shtëpi e pleqve
trokiti varfëria,
trokiti prapë mjerimi,
trokiti prapë uria.

Një natë pranë oxhakut,
i thotë plaka plakut:
- U boshatis hambari,
ka mbetur trok shtëpia,
si do na vejë halli,
do vdesim nga uria...

Sa çeli ditë e re
ky plaku na u nis,
bastunin në një dorë
e thesin në kurriz.

Kaptoi gjashtë male,
kaptoi dhe një kodër...
të gjitha ç'kishin ngjarë
ia tha çupës së vogël.

Dhe çupa si peshqesh
gatiti për babanë,
mbështjellë në një thes,
kopan, goxha kopan.

- Po ç'është ky kopan? -
do pyesë ndonjë nga ju.
Një shkop i gjatë, i trashë,
i prerë nga një dru.

Dhe plaku kur e pa,
i tha si me mërzi:
- S'ia vlente gjithë kjo rrugë
për një kopan si ky!

Po çupa e sqaron:
- Baba, mos u mërzit,
kur "Vët, kopan!" i thonë,
ky bëhet shkop magjik...

13.
Ec e ec babai plak
rruga ishte shumë e gjatë,
ndaj u ul të çlodhej pak.

I mbështetur te një thanë
nxjerr kopanin e vë pranë
dhe i thotë: - Vët kopan!

14.
Ky kopani na u ngre
si furtunë,
edhe plakun na e rreh
bam e bum!

Nga habia, plaku sytë
i fërkon,
bën të ikë po kopani
s'e lëshon.

Nis thërret: - Ah, moj çupë,
gjeç belanë!
Ku është parë të rrihet baba
me kopan?!

Mjaft, kopan, se më dërrmove,
mjaft, aman!
- Po ti vetë më urdhërove
"Vët kopan!"...

Niset plaku që të ikë
çalë e zvarrë,
as kopanin, as thesin
s'do t'i marrë.

Flet kopani si njeri:
- Ndalu plak,
mos më lër në mes të pyllit,
more plak...

15.
Hyri plaku, vuri thesin
përmbi vatër,
shikon plaka e habitur
sytë katër.
Zgjati dorën, kur në thes
pa kopanin,
nisi sherrin e shamatën,
bëri namin!

Plaku nxehet, po nga halli,
buzëqesh,
me ngadalë diç i thotë
plakës në vesh...

Dhe kjo plaka më inatin
nuk e mban,
"Vët, kopan!"...

Prapë kopani na u ngre
si furtunë
edhe plakën nis e rreh
bam e bum!

- Mjaft, kopan, se më
dërrmove,
mjaft aman!
- Po ti vetë më urdhërove
"Vët kopan!"

Ngrihet plaka mos më keq,
çalë e zvarrë,
merr kopanin që ta djegë
mu në zjarr.

- Mos më digj, - i thotë kopani,
- plakë moj,
çupa juaj më dërgoi
t'ju ndihmoj.

Lë kopanin pranë vatrës,
nuk e djeg,
zemëruar shtrihet plaka
në dyshek,
katër ditë me gojë plakut
nuk i flet...

16.
Ditë e pestë në oxhak
ndezur zjarri bubulak.

Duke parë gjuhët e flakës
na i thotë plaku plakës:

- Gjithë fshatin përsëri
do ta ftojmë në gosti.

Thotë plaka zemëruar:
- Ti, mor plak, paske shkalluar.

Mysafirët ç'faj na kanë
që t'i rrahim me kopan?
Flet kopani: - E ka mirë,
ftoni fshatin mysafir.

Bëni vetëm këtë punë
pa të tjerat i bëj unë.

17.
Erdhi fshati në gosti
burra, gra, pleq e fëmijë.
Ashtu si herën e parë
këmbëkryq të gjithë në arë...

Paska ardhur edhe agai
është i ngopur, s'do të hajë,
hedh vështrimin rreth e rreth
të shikojë se ç'do të vjedhë...

Shikon plakun flokëborë
që del me kopan në dorë,
ndërsa plaka buzagaz
me një kungull vjen nga pas.

(Mysafirët me ta parë
kujtuan gostinë e parë...)

Ky kopani nis një lodër,
hop e hop sofër më sofër,
hop e hop e hoj e broj
te Maksuti fap! qëndroi.
Ulet plaku me ngadalë
dhe në vesh i thotë ca fjalë...
Maksuti si gjel u fry,
vuri festen përmbi sy,
hodhi sytë anembanë
edhe thirri: - Vët, kopan!

Një t'u ngritur bën kopani
amani, shokë amani...
Bam në kokë e bam në
dhëmbë,
ky Maksuti hop në këmbë,
do ta kapë ta bëjë copë
po kopani s'kapet dot...
...Bam nga afër, bam nga larg,
bam në gjoks e bam në bark.

Rripi i mesit më nuk mban
pantallonat na i ranë...
Hop Maksuti si lejlek
goxha burrë vetëm me
brekë,
barku fryrë si kacek
do të ikë, të ikë me vrap
po kopani prapë e kap...
...Kur Maksuti e pa keq
tha: - Amani more pleq,
e sjell kungullin këtu,
veç ndaloni këtë hu,
e kam fshehur në banak
shkoj me vrap e vij me
vrap...

Ai lutet e premton
po kopani s'e lëshon.
Shkuan, erdhën dy fshatarë
sollën kungullin në arë,
veç aherë sulmi pushoi,
Maksuti nuk u pa nga shkoi!

18.
Pa u shtrua kësaj rradhe
një gosti dhe më e madhe.

Për dy pleqtë zemërbardhë
vijnë urimet radhë-radhë.

U kënaq i gjithë fshati.
Po kopani?
Rrinte gati!

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Teksti i kartolinës duhet të përmbajë 1-6 rreshta:

ThenieShqip v5.0 © 2024