TEKSTI ORIGJINAL

1.
Mjekja Shytë
një mëngjes
i dha lajmin
gjithë kopesë:
- Mama Dhia bëri kec!

Era lajmin
e përhapi,
kapardiset
baba Cjapi...

2.
E vunë kecin
me kujdes
që të flinte
mbi një lesë.

Po ç'ka keci,
pse nuk fle,
veshët si antenë
i ngre?!

I vjen zhurmë
nga një shtëpi,
bën potere
një fëmijë:

- Dua, s'dua,
s'dua, dua,
dua qershi
sa një ftua!...

Këto fjalë
vu e vu
i vijnë kecit
gjer këtu,
nëpër veshë
i hyjnë në tru...

3.
Miq e shokë e farefis,
dhe të Cjapit dhe të Dhisë,
u mblodhën për të uruar,
me peshqeshe nëpër duar.
Plot peshqeshe, lloje-lloje,
gjethe ferre çfarë të doje,
qumësht një bidon i madh,
një fuçi mbushur me djathë,
dhe një zilkë për në qafë.

... Gjalpë e gjizë vatha u mbush,
vetëm dhallë s'pruri askush.
(Gjyshe Dhia që merr vesh
thotë: "S'është dhalla për peshqesh!...")

Pasi hëngrën, pasi pinë,
kur do mbyllin gjithë gostinë,
thanë: - Të gjitha i bëmë,
veç një gjë s'e kemi thënë:
kecit ç'emër do t'i vëmë?

Dhe përmendën disa emra:
Shitush, Laran e të tjera,
po papritur flet dhe keci:
- Emri im do të jetë... Genci!

Edhe cjeptë, edhe dhitë
nga habia shqyen sytë.

Ndërhyn cjapi babagjysh:
"Ti, kecush, duhet ta dish,
ne jemi familje dhish
edhe kemi emrat tanë:
Shitush, Kalesh, Laran..."

Pa pikë turpi ndërhyn keci:
- Emri im do të jetë Genci,
ku merr vesh ti, babagjysh,
këtë emër s'e ka kush.

Heshti gjyshi si memec,
tha me vete: "Ah, ky kec
do na bëhet grindavec!"

Pësh, pësh, pësh na folën dhitë:
"Bobo, ç'po na shohin sytë!"
Hijerëndë folën cjepët:
"Bobo, ç'po dëgjojnë veshët!"

4.
Shoku kec
me emrin "Genc"
përplas këmbët
një mëngjes:

- Vetëm
qumësht unë të pi?!
E kam emrin
si njeri,
s'dua gjethe,
bar lëndine,
dua bukë,
dua panine.
S'dua krodhe,
dua tule,
dua... qofte
me mish pule,
syltiaç
me shumë fasule,
dua... bakllava
me kripë...

5.
Edhe cjeptë
edhe dhitë
nga habia
shqyen sytë.
A ka bakllava me
kripë?!
Foli cjapi babagjysh:
- Ti, kecush,
duhet ta dish,
ne jemi
familje dhish
dhe kemi
ushqimet tona,
qumësht plot
nëpër bidona,
gjethe ferre
palcë të njoma...

Foli keci
grindaveci:
- Mua
më thërresin Genci,
prandaj s'mund
të ha më ferra,
dua ushqime
të tjera...
Dua trahana
me spac,
dua...revani
me vezë.
Dua...dua...
dua... peshk!

Mama Dhia
ku të futet,
skuqet, zverdhet,
prapë skuqet,
po nga zori
buzëqesh
e i thotë
kecit në vesh:
- Mos ha peshk,
se ti je kec,
ndonjë halë
në fyt të ngec!
Hidhet keci:
- Le të ngeci,
le të ngeci,
e pastaj?

Mama Dhia thotë:
- Pastaj
ti do ngordhësh,
unë do qaj...

Po ky keci,
grindaveci,
s'mallëngjehet
asnjë çikë:
- Dua peshkun
edhe pikë!

Deshi, s'deshi,
baba Cjapi
në liqen
peshkun e kapi.
Deshi, s'deshi mama
Dhia
skuqi peshkun
te kusia.

Ja dhe keci
kapardisur
po ha peshk
të tiganisur.

Hë një çikë,
fap... i ngec
një halë në grykë.

Desh të fliste,
s'foli dot
iu mbushën
sytë me lot.

U nxi krejt
e s'merr dot frymë,
përplas këmbët
kërkon ndihmë.

Nis poterja
në kope:
- U mbyt keci
me, me, me!

- Si do bëjmë
për një mjek?
- Shpejt kërkoni
një lejlek!

Vjen lejleku
me vërtik
dhe i fut
sqepin në grykë.

Dy- tri herë
e përpoqi
edhe tak,
halën e hoqi.

U bë keci
porsi speci,
vari veshët
edhe heshti.

Vari veshët
e s'u ndie,
se shpëtoi
për një fije...

U afrua
te një ferrë
si të gjithë
kecat e tjerë.

S'bëri naze
kësaj here,
po u ngop
me gjethe ferre...

Dy-tri javë qetësi,
u kënaq mamaja Dhi.
Tha me vete: "Dhe im bir
më në fund u bë i mirë!"

Po ç'e do, që atë ditë
nisi keci prapësitë...
-... Që të mos bëhem me llucë,
shkoni blini dhe këpucë!

I thotë babi për ta bindur:
- Me këpucë ne jemi lindur,
ja, kemi këpucë prej briri...
S'bindet që s'bindet i biri.

Deshi, s'deshi, baba Cjapi,
dërgon lajmin te kasapi:
"Zgjidhmë një lëkurë të mirë,
më kërkon këpucë im bir!"

Dhe kasapi u habit,
a mbathin këpucë dhitë?

Shkoi kasapi te një mik
që bën këpucë në fabrikë.
Një kuti na i kërkoi
edhe cjapit ia dërgoi.

E di ç'kishte në kuti?
Dy këpucë, për mrekulli!
(Veç, t'i shihje ç'farë malli,
bërë me lëkurë çakalli...)

Babagjyshi kur i pa,
tundi mjekrën edhe tha:
- Ti, o kec, i biri i dhisë,
në do të mos bëhesh pisë,
kur ecën në baltë e llucë,
merr e mbath katër këpucë!

Foli keci rëndë-rëndë:
- Unë do eci me dy këmbë
se nuk jam as cjap, as dhi,
e kam emrin si njeri.
Dhe këpucët shpejt i veshi,
tundi veshët, buzëqeshi.
Dhe e mori keci - Genci
mbi dy këmbët dot nuk eci...

Pllac e plluc me gjithë këpucë
u këput e ra në llucë
dhe u bë...lëre ç'u bë,
sa dhe nëna me babanë
nuk e njohën kur e panë.

Dy-tri javë qetësi
u kënaq mamaja Dhi.
Tha me vete: "Dhe im bir
mbase bëhet djalë i mirë".

Po ç'e do, prapë një ditë
nisi keci prapësitë:
-...A e di se ç'dua unë?
Dua të më bësh kostum!
Me lëkurën mbi kurriz
dukem tamam biri i dhisë.

Mama Dhia...buzëqesh.
- Hesht, o bir, të keqen,
hesht,
si lëkura jonë me lesh
do kërkosh e nuk do gjesh;
bie shiu, nuk na lag,
fryn veriu, e nuk na than,
lëkura me lesh na mban,
ohoho, si një jorgan.

Keci - Genci kokëfortë
përplas këmbët edhe thotë:
- Do të bësh si dua unë,
liqmë leshin, bëmë kostum!

Deshi s'deshi mama Dhia
merr gërshërën te komshia,
gërr e gërr një natë të tërë
qethi kecin me gërshërë.

Tani keci s'ngjan si kec
po tamam si dordolec...

Mama Dhia
përmbi brirë
torri leshin
mirë e mirë.

Ca e ngjeu
me mana ferre,
ca e ngjeu
me fleta arre.
Për ta thurrur
si të bëjë?
Për ta thurur
nuk di fare.

Disa shoqe
na i thanë:
- Çoje tek
një merimangë.
Ajo është
për të punuar
tekstiliste
e mbaruar.

Deshi s'deshi
mama Dhia
mori rrugën
që menatë...
- Merimangë,
o merimangë,
të kam ardhur
për një punë,
më kërkon
keci kostum!

Merimanga,
merimangë,
kur dëgjoi,
mbeti shtang:
- Jetova një jetë
të tërë,
kostum keci
nuk kam bërë.
Më vjen keq,
vetëm për ty,
do ta bëj,
moj mama Dhi!
Pa çikrik,
pa avlëmend,
thuri me këmbët
e shpejta
jo kostum
po palaçeta.
Palaçeta
ngjyra-ngjyra,
eh, t'i shihje
sa të mira!

Palaçetat
kur i veshi,
nga gëzimi
s'mbahej keci:
- Ja shikomëni tani
a nuk jam
tamam njeri?

Ikte dielli, vinte nata
dhitë futeshin te vatha,
me lëkurën valë të ngrohtë
s'ndienin asnjë çikë të ftohtë.

Keci - Genc me palaçeta
dridhej natën si purteka,
kaq...sa grushti katandisej,
ama ditën...kapardisej.

Një ditë shëtitjen sa nisi,
sheh një ujk prapa një lisi.
Kur i pa dhëmbët si thika,
kecit tak!... zemra nga frika.

Fiuuu! ia mbathi me një vrap,
gjembi i ferrës bluzën kap.
Vrapon keci nëpër pyll,
prapa tij zgjatet një fill...
Gjithë zogjtë pas i shkojnë,
ciu, ciu cicërojnë,
kecit vallë
ç'po i thonë?

Vrapon keci si shigjetë,
s'po kupton fare ç'po ngjet.

Kur arriti në shtëpi,
u habit mamaja Dhi:
- Ç'të ka ndodhur me, me, me,
palaçetat ku i le?

Thotë keci kokëtrashë:
- Asgjëkundi nuk i lashë!
Kur pa trupin lakuriq,
hapi gojën e u habit.

Na u nxeh Cjapi baba:
- Ç'janë gjithë këto hata?!
Ç'janë gjithë këto që bën?!
U thinjëm për qejfin tënd.

Thotë Gjyshi: Me, me, me,
faj të madh kemi dhe ne,
prandaj Cjap, mos merr inat,
do llafosemi në darkë.

Erdhi darka,
u mbush vatha,
cjeptë, dhitë
u grumbulluan,
por ç'e do...
mua s'më ftuan,
s'mora vesh
se ç'biseduan.

Thonë...
qenka bërë hata
me kritika
të mëdha.
Bile thonë,
baba Cjapi
shkuli mjekrën
nga inati...
Paska thënë
gjyshi vetë
(s'di sa është
e vërtetë):
- Që të mos
na ftohet keci,
lëkurë ujku
le t'i veshim...
Thonë keci
paska qarë,
unë për vete
s'e kam parë...

Erdhi dimri
me thëllim,
ku u zhduk
ky keci ynë?

Ngaqë ishte
lakuriq,
thonë u mbyll
brenda një vit.

Eh, sa shumë
paska pritur
gjersa floku
është rritur!

U rrit keci
u bë cjap
marrëzira
nuk bën prapë.

Kur kujton
ato që bëri,
prush i kuq
bëhet i tëri.

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Teksti i kartolinës duhet të përmbajë 1-6 rreshta:

ThenieShqip v5.0 © 2024