TEKSTI ORIGJINAL

Një natë te komshia
po qante fëmija,
kërkonte çorape,
çorape me vija...
Ia solli mamaja
çorapet e saja,
të gjitha të mira,
me lule, me ngjyra.
S'pushonte fëmija,
i donte me vija...

U ngrit edhe babi
me vrap nga krevati:
- Ç'të bëj moj amani,
është mbyllur dyqani.

S'i di tregëtia
kusuret e mia,
do natën fëmija
çorape me vija...

Dëgjohen në porta
trokitje të forta...
U zgjuan komshinjtë
dhe fërkojnë sytë,
pastaj nëpër rafte,
në komo, dollape
kërkojnë çorape,
çorape me vija,
se plasi fëmija!

Fëmijët e tjerë
po flenë si shqerrë,
veç "shpirti i babit"
qan majë krevatit
sa tundet shtëpia:
- Më blini çorape,
çorape me vija,
tani... në këtë çast,
o unë do pëlcas!

Një goxha gomar,
që flinte në stallë,
u zgjua nga gjumi,
durimin e humbi,
i tha qaramanit
i nxehur tej mase:
- Aman, se na plase!

1989

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024