TEKSTI ORIGJINAL

Në atdhe doja të veja,
një gotë me rraki të ktheja,
e të shtrihesha malluar,
ndënë hijen e bekuar.

T’ i hidhja ca ujë suratit
nga i ëmbli kroi i fshatit,
të ndizja televizorin,
e të dëgjoja doktorin.

Të zbrazja pjatën e paçës
nën britmat e Erion Braçes,
nën bëmat e Oso Kukës,
poezitë e Arben Dukës.

Të kujtoj shijen e kosit,
tangërllëkun e Fatosit,
të shijoj erën stanit,
buzëqeshjen e Nishanit.

Historinë e Doruntinës,
në version të Zhozefinës,
cicërima të bilbilit,
romane të Ismailit,

anektoda të Pëllumbit,
shijen e athët të plumbit,
të shoh vepra të Enverit,
nën krismat e maliherit.

Të këndoja kodrës, shpatit,
trimëritë e Lazaratit,
vuajtjet e Teme Sejkos
dhe lavdinë e Landi Bejkos.

Të bridhja fushës së Bulos,
me këngët e Petrit Lulos,
të kundroja brigjet, barin,
tok me Igli Kokalarin.

Tek pikojnë hojet e bletës,
karrjerën e Ilir Metës
të m’ i thonte zëri i gjelit
aventurat e Vangjelit.

Të ndjeja zhurmën e Lanës,
vrasjet në mes të Tiranës,
mendimet e Presidentit,
mençurinë e Parlamentit.

Histori të Ali Pashës,
deklarata të Lul Bashës,
vetingjet e Amerikës,
edhe çizmen e Monikës.

Te kisha e Shën Prokopit,
t’ i rrëfeja Bamir Topit,
çështjen e Sajmir Tahirit,
me hashashin e «qafirit».

Të shfletoja buzë liqenit,
«dosjet» e Daut Gumenit,
t’ i falëm ikonostasit,
shtetësisë së Anastasit.

Ndënë hijen e Tomorit,
të kujtoj kohën e zborit,
tek hidhnim gunat mbi tela,
dhe na printe Spartak Ngjela!

Të prek erën, të shkel dhenë,
të kujtoj dhe Skënderbenë,
të bëj kryq, të marr avdes,
të shtrihem e të mos vdes.

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024