TEKSTI ORIGJINAL

Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre,
nëpër gishta - shpjer e bjer...
Mbi tezgjah, krahët mes tyre
i formonin një ylber.
E kuqja kudo nxjerr ballin
(qe dielli mbi Lumaqe
ku shëndet i kuq i malit
nënës i ndizej në faqe).
Kur 'të zezën' mes të kuqes
hidhte në qylym të saj.
ato ditë kish parë tutje
një shqiponjë lart në majë.
Një fill rozë të hollë, të pakë
ndrojtur në qylym ka prurë...
(qe një trandafil i largët
që u këput, e s'u dha kurrë!)
Ngjyrën e ëmbël të hënës
tek e verdha që shikoni,
-biri kur sëmurë ka qënë
nëna e derdhi ngjyr' limoni.-
Hidh e prit me duart flutur
e kur boshti priste fijen,
lidhte gjalmin e këputur
si t'u zgjaste udhën bijve.
E gjelbra e ngrohtë e butë
ku nuk futej në qylime
(bar i dhënve kurrë mos humbtë -
gjithnjë lutej nëna ime).
Mes blerimit të qylimit
zogj të bukur qenë skicuar...
Qenë zogjtë që përcillnin
nënën larg me dru ngarkuar.
Vijat në qylim të drejta,
harqet - valle hip e zbrit
Si s'e dinin nënë shkretat
se aty do ecnin bijtë!

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024