>
BIOSHQIP

Eksperiencat E Huaja Të Këngëtarëve Shqiptarë

20-08-2012
Të gjithë e kanë ëndërruar një karrierë të suksesshme në vende të huaja. Shumë emra të talentuar të skenës sonë pas viteve '90 zgjodhën të emigronin me shpresën për të qenë dikushi edhe në tokë të huaj. Shumë prej tyre ia dolën e disa të tjerë jo. Pati nga ata që ndryshuan profesione apo nga ata si Parashqevi Simaku që "humbën" në një botë ku konkurrenca është e egër. Artistët që ne kemi përzgjedhur sot i provuan të dyja dhe vendosën të riktheheshin te publiku shqiptar. Suksesi në tokën mëmë përherë ka qenë i garantuar. Gjithmonë kanë qenë të mirëpritur dhe njerëzit i kanë mbështetur. Ata sot janë ndër artistët më të mirë që ne kemi, po përpara kësaj edhe ata kanë pasur eksperiencat e tyre europiane e botërore. Ja disa prej tyre që preferuan Shqipërinë.

Pirro Çako

Ai është djali i një prej artistëve më të mëdhenj të skenës sonë, Gaqo Çako. Ai ka trashëguar nga familja pasionin për muzikën dhe është një nga kompozitorët dhe këngëtarët më të njohur e të kërkuar në Shqipëri. Pirro Çako provoi për shumë vite të jetonte në Francë, duke u shkëputur disi nga festivalet në Shqipëri. Pas divorcit nga sopranoja e njohur, mund të themi se ai u rikthye në skenë më fuqishëm se kurrë. Ka shkuar me qindra këngë, ka kompozuar shumë prej hiteve më të suksesshme dhe mund të themi se Pirro e ka mbajtur denjësisht mbiemrin e të atit. Muzika që ai bën pëlqehet nga të gjitha moshat.

Frederik Ndoci

Këngët e tij janë të pavdekshme. Zëri i tij është i veçantë, unik dhe brilant. Kështu e ka vlerësuar kritika, jo vetëm shqiptare por edhe ajo e huaj, këngëtarin Ndoci. Iku nga Shqipëria pas viteve '90, duke provuar edhe në Itali e më gjerë një sukses të konsiderueshëm. Një nga zërat më të veçantë, ai sot vazhdon të jetë prezent në skenat shqiptare.

Elton Deda

Një tjetër artist që rrjedh nga familje artistësh… Elton Deda është djali i muzikantit të madh Ferdinand Deda. Ai e nisi karrierën përkrah miqve të talentuar, duke formuar së bashku një grup të pëlqyer nga të rinjtë e viteve '90. Herë melankolik, herë shpërthyes, reflektonte kulturë në interpretimet skenike. Eltoni u zhvendos në kontinentin amerikan për të jetuar dhe nuk ka shumë kohë që është rikthyer përfundimisht në Shqipëri. Elton Deda, që pritet të jetë sërish pjesë në jurinë e The Voice, mbetet një nga këngëtarët revolucionar të muzikës së lehtë shqiptare. Këngët e tij si "Na lini të jetojmë" apo "Nuk kërkoj tjetër njeri" këndohen edhe sot me po të njëjtin pasion si 20 vjet më parë. Urojmë që shumë shpejt Eltoni, Redoni dhe Sandri të bëjnë koncertin e premtuar të "Tre musketjerëve".

Eli Fara

Një nga këngëtaret më të dashura, me bukurinë dhe zërin e saj karakteristik. Eli Fara bën pjesë në grupin e artistëve që u larguan së bashku në Amerikë e ofruan për publikun shqiptar atje koncerte të panumërta. Ajo është një nga këngëtaret më të kërkuara në Diasporë, por pa i munguar asnjëherë edhe publikut shqiptar. Përherë në formë të shkëlqyer, Eli di të godasë me këngët dhe klipet e saj të reja.

Aurela Gaçe

Aurela Gaçe një nga femrat më shpërthyese të muzikës sonë, pas një kohe qëndrimi të gjatë në Amerikë, u rikthye sërish në atdhe. Ajo sapo ka hedhur në treg albumin e vet më të ri "Paraprakisht", ndërkohë që është edhe nëna e një vajze të vogël. Duket se Aurela zgjodhi përfundimisht Shqipërinë për të jetuar, duke parë se përherë mbetet e pëlqyer për publikun e saj. Kënga e saj bashkëpunim me Dr.Florin dhe Marsel "Origjinale" theu të gjitha rekordet, duke mbetur ende kënga shqiptare me më shumë kliklime në kanalin Youtube.

Devis Xherahu

Devis Xherahu e ka mbrojtur me fanatizëm identitetin kombëtar në çdo vend ku ka shkelur. Kujtojmë këtu pjesëmarrjen e tij në reality show-n grek "Fame Story", ku këndoi në gjuhën shqipe "Kur të jesh mërzitur shumë" dhe zhvilloi një debat të fortë patriotik. Së fundmi, Devi ka vendosur të jetojë përfundimisht në Shqipëri. E duket se arsyeja nuk ka qenë vetëm mikpritja dhe ngrohtësia e publikut, por edhe lidhja e dashurisë që ai ka krijuar me ish-misin Ertemiona Mejdani. Kënga e tij "Akoma s'e besoj" u vlerësua me çmimin si balada më e mirë në "Kënga Magjike 2011".
(Gazeta MAPO )

Eksperiencat E Huaja Të Këngëtarëve Shqiptarë