>
BIOSHQIP

Ja çfare Kanë Hobi Këngëtaret

02-10-2012
Janë femra të njohura, të cilat i shohim vazhdimisht në skenë, televizione apo sipërmarrje të tjera artistike. Shpeshherë në intervista shprehen se jetën e tyre ia kanë kushtuar tërësisht artit apo profesionit të tyre. Koha është përherë e limituar, madje shpesh me dilema dhe sakrifica mes karrierës e familjes. Sot do të zbulojmë se si e kalojnë kohën e lirë disa nga personazhet më të spikatura dhe më të njohura për publikun. Shumë prej tyre kanë pasione për të cilat nuk kemi dëgjuar më parë, si piktura, fotografia apo thjesht edhe ecje të gjata në natyrë.

Rezarta Shkurta

Ajo njihet nga të gjithë si këngëtare, por pasionet e saj janë të shumta. Në fakt kënga nuk është profesioni i vetëm i Rezarta Shkurtës. Ajo ka treguar se është një piktore dhe fotografe shumë e talentuar. Fotot e saj, të personazheve të njohura shpesh kanë zënë faqe të tëra në shtypin rozë. Megjithatë nuk janë vetëm këto hobet e saj. Një pasion tjetër i këngëtares simpatike është deti, por jo vetëm plazhi. Rezarta na ka treguar se mund të rrijë me orë të tëra në det si zhytëse. Bota nënujore është një magji më vete dhe Rezarta gjatë verës i dedikon vetes kohën e mjaftueshme për të eksploruar sekretet nënujore. Pas këtij sporti është tepër e apasionuar edhe këngëtarja tjetër e njohur Elsa Lila.

Leonora Jakupi

Leonora Jakupi është një tjetër këngëtare, e cila veç muzikës, në kohën e lirë preferon të merret me pikturë. "Më pëlqen shumë të pikturoj, më duket sikur bëhem pjesë e një bote tjetër. Një botë në të cilën unë udhëheq", – është shprehur Leonora kur është pyetur për gjërat që preferon të bëjë në kohën e lirë. Aktualisht këngëtarja nuk ka lançuar ndonjë projekt të ri muzikor, ndërkohë që është bërë imazh për kompaninë "Devolli Company", për produktin e kësaj të fundit, "Prince Caffe".

Eli Fara

Është një nga femrat më të veçanta e duket se vitet nuk ecin kurrë për Eli Farën. Ajo mbetet një nga këngëtaret më të dashura dhe aktualisht me këngën e saj "Romale", konkurrente në "Kënga magjike" duket se ka çmendur gjithë publikun. Vitet kalojnë por Eli mbetet e njëjta vajzë sharmante dhe e bukur, madje siç ka thënë ajo në një intervistë më parë për "MAPO", brenda vetes ndihet përherë si 25 vjeçe. Edhe pse koha më e madhe i është dedikuar këngës dhe koncerteve anembanë ku ka shqiptarë, Eli rezervon përherë kohë për pasionin e saj që është libri. Megjithatë, në ditë të veçanta preferon më shumë të qëndrojë në shtëpi dhe të shohë televizor. Është një nga gjërat që jeta si artiste përherë në lëvizje ta privon, ndaj Eli thotë se preferon këtë lloj qetësie në shtëpi.

Tuna

Është një ndër këngëtaret më të preferuara në trevat shqipfolëse, me hite shumë të suksesshme. Aktualisht ajo është bërë pjesë e shout të talenteve "X-Factor", ku mësohet se do të jetë një nga anëtaret e jurisë. Tuna në kohën e lirë ka treguar se preferon të bëjë sport. "E dua sportin dhe mundohem të bëj palestër rregullisht. I dua në veçanti sportet luftarake dhe shpeshherë mendoj se, nëse nuk do të isha këngëtare, do të vazhdoja të merresha me karate dhe ndoshta do të kisha sukseset e babait tim", – ka thënë këngëtarja e pyetur për hobet e saj. E nuk tingëllon e çuditshme në fakt po të kemi parasysh që i ati i Tunës ka qenë kampion i mundjes, me disa tituj dhe medalje të çmuara në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ingrit Gjoni

Aktualisht ajo ia ka kushtuar pjesën më të madhe të kohës djalit të saj, Parid, i cili është vetëm disa muajsh. Si një nënë në karrierë, Ingriti ka ardhur shumë shpejt në formë pas lindjes dhe gjatë verës i ka kushtuar edhe një kohë koncerteve dhe fansave të saj. Lidhur me pasionet e këngëtares, vetë Ingriti ka thënë se preferon shumë të udhëtojë. Adhuron të vizitojë vende të reja dhe në profesionin e saj si këngëtare këto dy gjëra shkojnë mjaft në harmoni me njëra-tjetrën.

Genta Ismajli

Duke parë klipet e saj nuk është e vështirë të dallosh se cili është pasioni i këngëtares shpërthyese nga Kosova, Genta Ismajli. Është përherë energjike në performancat e saj dhe ka treguar se është një kërcimtare mjaft e zonja. Në fakt kërcimi është edhe pasioni dhe hobi tjetër i madh veç këngës. Me siguri që nëse do i ishte përkushtuar baletit, Genta do të ishte po aq e suksesshme edhe si këngëtare, por ajo ka preferuar ta alternojë pasionin për kërcimin me këngën në çdo klip apo performancë që bën.

"Vallëzimi për mua është qetësim për shpirtin, mua më çon në një botë krejtësisht tjetër dhe e ushtroj me gjithë shpirt e zemër këtë pasion. Kurse librin e kam një mik shumë të mirë", – ka thënë ajo.

Inis Gjoni

Ajo është cilësuar si një ndër femrat më të bukura të ekraneve shqiptare. Shumë shpejt ajo do të jetë prezente në jetën artistike të kryeqytetit duke vënë në skenë një tjetër shfaqje, që do të jetë sërish komedi pas "Salla e banjës". Inisi, e cila tashmë është nëna e një vogëlusheje mjaft të bukur, që e ka pagëzuar me emrin Coco Antonel, ka thënë se një nga hobet e saj është të udhëtojë, njëlloj si motra e saj Ingriti. Siç duket dy motrat nuk kanë të përbashkët vetëm bukurinë dhe talentin por edhe pasionet e tyre. "Më pëlqen të udhëtoj dhe të eksploroj vende të reja, të njoh kultura të ndryshme, njerëz të ndryshëm, ky mendoj se është hobi im", – është shprehur Inisi.

Evi Reçi

Bashkëpunimi i saj me kompozitorin Flor Mumajesi ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe tashmë Evi është kthyer në një nga këngëtaret e reja më premtuese të skenës shqiptare. Aktualisht Evi po vazhdon studimet në Itali për gazetari dhe veç pasionit të madh që ka për muzikën, ajo ka treguar disa nga hobet e saj që lidhen me artin. Në Itali Evi ka provuar edhe modelingun, por mes tij dhe muzikës ajo preferon këtë të dytën. "Unë do të zgjidhja muzikën, sepse modelingun e bëj për hobi, ndërsa fotografia është një nga preferencat e mia", – thotë vajza simpatike, e cila jetën e saj e ka lidhur ngushtësisht me artin por edhe me punën si gazetare në Itali. Veç kësaj, një pasion të madh ajo rezervon edhe për librat.

Argjentina Ramosaj

Për këngëtaren e re Argjentina Ramosaj hobi më i madh mbetet fotografia, për të cilën është duke ndjekur dhe shkollën. Megjithatë nuk mbeten pas as modelingu, të cilin ajo e ushtron herë pas here për kompani të fuqishme mode. Një tjetër hobi interesant i këngëtares Ramosaj është të udhëtojë nëpër botë. Aktualisht Argjentina po shijon frytet e suksesit të këngës së saj "Si shiu", një këngë e cila u bë hit pas pjesëmarrjes së këngëtares në Top-Fest.
(GAZETA MAPO)

Ja çfare Kanë Hobi Këngëtaret