Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Për Një Këngë Me Videoklip Duhen 6000 Euro


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  10
[06-09-2013]
Industria muzikore vite më parë u vërshua nga produksionet muzikore dhe filmike të cilat bashkëpunonin me estradën muzikore dhe editonin projektet e tyre muzikore. Mirëpo ndikimi mjaftë i shprehur i botës së internetit ka bërë që një pjesë e madhe e produksioneve në vend të mbyllen për shkak të rënies së punës. Mbase këtë e kanë mësuar edhe pjesa dërmuese e estradës sonë të cilët thonë se nuk kanë llogari për të realizuar një album apo për ta paguar produksionin i cili e editon albumin, meqë këngët e tyre shfaqen menjëherë në internet.

Njëra nga të shumtat e këngëtarëve të estradës sonë Miranda Hashani thotë se tani në këtë kohë që jemi sot, këngëtari nuk ka llogari të realizoj një album dhe t’ia lë ndonjë shtëpie filmike muzikore ta editoj për shkak se pagesa është mjaftë e lartë dhe këngëtari del në humbje. “Në industrinë muzikore kanë ndryshuar shumë gjëra dhe kjo si pasojë e ndikimit të internetit.



Tani ne nuk kemi llogari të realizojmë një album, sepse jemi në humbje, përveç që duhet ta paguajmë realizimin e këngëve të albumit, duhet ta paguajmë edhe produksionin i cili e editon albumin. Dhe në fakt albumi nuk shitet, sepse të gjitha këngët në këtë album shfaqen menjëherë në internet. Prandaj kjo ka vështirësuar bukur shumë punën tonë”, shprehet ajo për “Zëri”. Tani në këtë kohë mund të gjesh më shumë videoproduksione të cilat merren me realizimin e videoklipeve të këngëtarëve tanë. Mirëpo sa i përket çmimeve, pjesa dërmuese e estradës ankohen për çmimet e larta për të realizuar një këngë dhe klip. “On Record's (Zzap & Chriss)” janë dy emra me të cilët kohëve të fundit më së shumti bashkëpunon estrada jonë.

Çmimet për të realizuar një këngë këtu kushton prej 1500 deri në 2000 euro, ndërkaq për të realizuar një videoklip kushton deri në 4000 euro. Por sipas Arbër Elshanit apo siç njihet në publik si Zzap kjo dukuri e pagesës tek ne në Kosovë nuk është fare e mirë, për shkak se më shumë i kushtohet rëndësi videoklipit se sa këngës e që në realitet thotë se duhet të jetë e kundërta.



“Sa i përket pagesës në shumicën e rasteve ne bëjmë marrëveshje me këngëtarin i cili mund të pajtohet apo jo me çmimin që u ofrojmë ne për një këngë dhe një klip. Në vendin tonë më shtrenjtë janë klipet se sa këngët dhe çka i duhet një këngëtari videoklipi i mirë kur kënga është e dobët. Në vende të tjera të botës çmimet janë më të larta për të realizuar një këngë se sa një klip, ndërkaq këtu tek ne ndodhë e kundërta”, thotë ai.

Në Shtëpinë filmike muzikore “Eurolindi” për të realizuar një këngë kushton prej 1000 deri në 2500 euro, ndërkaq një videoklip kushton prej 1000 deri në 4000 euro. Sipas pronarit të këtij produksioni Bujar Avdimetaj dallimi në mes çmimeve në klip është mjaftë i madh për shkak se me 1000 euro realizohet një videoklip më i thjeshtë, ndërsa me 4000 euro realizohet një videoklip me kushte më të mira, ku skenari, regjia dhe çdo gjë tjetër rreth realizimit është më moderne dhe më cilësore dhe përveç saj këtu bënë pjesë edhe veshja nga e cila këngëtari mund të furnizohet për t’u paraqitur në klip.



Ekziston një dallim në mes produksioneve më në zë dhe atyre që nuk kanë krijuar ende emër. ‘Vissoundmedia Vsm’ në krye me producentin Visar Loku çmimi për të realizuar një videoklip kushton 2000 e deri në 3500 euro, mbase sipas Visarit bashkëpunimi i tyre ka qenë edhe me disa emra të njohur të estradës si.p.sh. videoprojekti i këngës “Droga jam” nga Rezarta Shkurta, pastaj kanë pasur bashkëpunim edhe me Florin dhe Elvanën, e disa emra të tjera, por asnjëherë ata nuk kanë pretenduar të kërkojnë më tepër se që duhet.

“Ne jemi munduar të punojmë në suaza të normales duke parë edhe gjendjen ekonomike në vend”, është shprehur Visari. Është edhe produksioni “Blero” nga Gjilani i cili ka krijuar një mundësi mjaftë të mirë për këngëtarët tanë për të realizuar një këngë dhe videoklip. Sipas muzikologut Sherif Hasani i cili është edhe pjesë e këtij produksioni çmimi për të realizuar një këngë bashkë me videoklip sillet prej 2000 deri në 3000 euro.

“Ne jemi munduar të jemi mjaftë të lirë dhe realizojmë këngën bashkë me klipin për një çmim mjaftë të volitshëm i cili vështirë se ndodhet tek produksionet tjera”, thekson ai. Me çmimet që variojnë tek produksionet e njohura në vend, këngëtarët vazhdojnë të ankohen për këto çmime.

Pjesa dërmuese e këngëtarëve tanë thonë se çmimet për të realizuar një këngë dhe videoklip janë mjaftë të larta. “Edhe unë si shumë kolegë të mi nuk pajtohem me çmimin që kanë disa nga produksionet e njohura në vend. Një videoklip me 4000 apo 5000 euro është shumë shtrenjtë për tu realizuar, por prapë them se jemi mësuar me këto çmime që mbretërojnë tek produksionet tona dhe ndoshta në të ardhmen do të bëhet diçka për këtë fenomen”, thotë Loreta kaçka.



Ankesë për lartësinë e çmimeve kanë edhe këngëtarët Sabri Fejzullahu, Labinot Tahiri e shumë emra të tjerë të skenës muzikore. Edhe Bujari nga produksioni “Eurolindi” ka pasur mjaftë ankesa nga këngëtarët tanë, por ai pohon se fitimet e tyre për një mbrëmje muzikore janë mjaftë të mëdha dhe ia vlen nga ata të paguajnë një këngë apo klip të mirë dhe kualitativ. “Këngëtarët ankohen vazhdimisht për këto çmime, por kur mendojnë se me një klip ose këngë munden të kenë shumë sukses atëherë normal se bien dakord edhe për këtë çmim. Por duke i marrë parasysh edhe të ardhurat e tyre në mbrëmje dhe ahengje të ndryshme familjare padyshim se duhet të pajtohen me këto çmime”, shprehet ai në fund.
 (Kastriote Bajrami (Zëri))



Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet