>
BIOSHQIP

12 Këngëtarë Rrëfejnë Pasionet E Tyre

10-11-2013
Si e kalojnë kohën e lirë, Eli Fara, Leonora Jakupi, Tuna, Dafina e Kastro Zizo. 12-të këngëtarë të njohur të skenës kanë rrëfyer për Bluetooth rreth pasioneve të tyre. Eli Fara



Edhe pse vitet ikin, ajo mbetet përsëri zonja sharmante dhe e bukur, megjithëse vajza e saj, i ka kaluar prej kohësh të njëzetat. Eli Fara, këngëtarja e mirënjohur shqiptare, vijon ende të bëjë për vete me qindra fansa në çdo koncert ku merr pjesë, falë zërit dhe buzëqeshjes së saj të çiltër. Madje suksesi i saj, ka bërë jo rrallëherë xheloze edhe koleget e saja më të reja në moshë. Sot, këngëtarja brilante vjen për të ndarë me të gjithë lexuesit e këtij suplementi hobin e saj. Eli Fara preferon që më së shumti, gjatë kohës së saj të lirë të lexojë libra. Tuna



Është një ndër këngëtaret më të preferuara në trevat shqipfolëse, me hite tejet të suksesshme dhe shumë të dashura për veshët e dëgjuesit shqiptar. Sot vjen në faqet Bluetooth për të ndarë me ne hobin e saj, i cili është në një farë mënyre i trashëguar nga i ati. “E dua sportin dhe mundohem të bëj palestër rregullisht. I dua në veçanti sportet luftarake dhe shpeshherë mendoj se, nëse nuk do të isha këngëtare, do të vazhdoja të merresha me karate dhe ndoshta do të kisha sukseset e babait tim”, përfundon Tuna. I ati i Tunës, Shaban Sejdiu, është kampion i mundjes, me disa tituj dhe medalje të çmuara në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Roland Hysi



Me zërin e tij, me këngët romantike dhe me tiparet simpatike, ka bërë për vete me dhjetëra femra... Përflitet si maçomen, por sidoqoftë, vendin e parë në listën e hobeve të Landit, e mban palestra, vrapi, mbajtja e trupit në formë. Nuk përton asnjë mëngjes që të dalë për vrap nga liqeni; kjo është edhe arsyeja pse ai sot, është një ndër meshkujt me trupin më muskuloz në ekranet shqiptare. Pasi së fundmi, më shumë sesa si këngëtar, po e shohim në rolin e moderatorit. Ingrit Gjoni



Suksesi është bërë miku i saj më i mirë përgjatë gjithë karrierës si këngëtare. Është një këngëtare e zonja, e bukur dhe seksi. Ingrit Gjoni, bukuroshja e skenës sonë rrëfen hobin e saj. Ndonëse në më të shumtën e kohës i duhet të jetë me udhëtime për shkak të angazhimeve si këngëtare, ajo nuk është aspak e mërzitur, madje përkundrazi, është shumë e lumtur, pasi edhe hobi i saj më i madh janë pikërisht udhëtimet. “I adhuroj udhëtimet, dhe jam pafundësisht e lumtur që profesioni që kam nuk ma kushtëzon këtë pasion dhe dashuri të madhe që kam për to”, tregon këngëtarja. Anjeza Branka



Këngëtarja Anjeza Branka, i bashkohet sot listës së personazheve publikë që kanë pranuar të rrëfejnë për ne hobet e tyre. Si një mama e angazhuar, pjesën më të madhe të kohës së lirë, ajo pëlqen t’ia kushtojë djalit të saj të vogël, së fundmi edhe biznesit të saj të veshjeve, megjithatë, nuk lë pas dore as librat dhe muzikën. “Kohën e lirë preferoj ta kaloj duke dalë me tim bir, duke iu përkushtuar atij, por nuk lë pas dore as argëtimin. Më pëlqen të frekuentoj jetën e natës, sikundër më pëlqen të lexoj libra të ndryshëm, me tematika të ndryshme. Natyrisht që të dëgjuarit muzikë, përbën një hobi për mua, që më së shumti e ushtroj kur jam në makinë”, përfundon Branka. Leonora Jakupi



E sigurisht që në listën e personazheve të sotëm, nuk mund të mungonte as këngëtarja e suksesshme nga Kosova, Leonora Jakupi, e cila na tregoi se preferon që kohën e lirë ta kalojë duke pikturuar. “Më pëlqen shumë të pikturoj, më duket sikur bëhem pjesë e një bote tjetër. Një botë në të cilën unë udhëheq...”, deklaron ajo. Dafina Zeqiri



Një bashkëkombëse e Leonorës, këngëtarja Dafina Zeqiri, na tregon se ka për hobi, shëtitjet me shoqërinë dhe të dashurin. “Sa herë kam nevojë të relaksohem, dal shëtitje me shoqërinë. Ndërsa kur kam shumë kohë të lirë, shkoj në Suedi tek familja ime”, përfundon Dafina. Argjentina Ramosaj



Për këngëtaren Argjentina Ramosaj, hobi më i madh mbetet fotografia, për të cilën është duke ndjekur dhe shkollën. Megjithatë nuk mbetet pas as modelingu, të cilin ajo e ushtron herë pas here për kompani të fuqishme mode në Holandë dhe jo vetëm. Një tjetër hobi interesant i këngëtares Ramosaj, është të udhëtojë nëpër botë. “Kam kaq shumë hobe, sa do të duhej një gazetë e tërë për t’i shkruar, megjithatë ato që përmenda janë më të rëndësishmit”, pohon Argjentina. Genta Ismajli



Pjesëmarrja në “Dancing With The Stars 1” e rikonfirmoi talentin e yllit kosovar në kërcim, por për Gentën, pjesëmarrja në atë konkurs thoshte shumë, pasi ndryshe nga shumë të tjerë aty, Genta e ka pasion prej kohësh kërcimin. “E kam thënë dhe stërthënë që hobi kam pasur dhe do të kem kërcimin.” (qesh) Vallëzimi për mua është qetësim për shpirtin, mua më çon në një botë krejtësisht tjetër dhe e ushtroj me gjithë shpirt e zemër këtë pasion. Kurse librin e kam një mik shumë të mirë, shpresoj që të gjithë ta kenë”. Kastro Zizo



Ndërsa kantautori i njohur Kastro Zizo ka si hobi peshkimin dhe gatimin. Aktualisht Kastro është i përfshirë në garën e kërcimit të yjeve, duke na bërë me dije edhe një tjetër pasion të tij, të cilin deri më tash nuk e kishim njohur. Sony NRG



E kush nuk e njeh djalin e grupit të famshëm “The dreams”?! Pa diskutim që e njohin. “Koha ime e lirë është e përkthyer kështu: Shpenzimi i saj në mënyrë kualitative; nuk më pëlqen të qëndroj kot kafeneve. Një ndër hobet e mia më të mëdha, është pa diskutim fotografia, por edhe fitnesi, stërvitja, vrapi, sepse pa një trup të mirë e në formë nuk bën dot foto dhe si pasojë edhe hobi merr dhenë. Unë në fakt kam shumë hobe; më pëlqen që të kujdesem për look-un, kam hobi gjithashtu futbollin, leximin, filozofinë. Edhe ‘Facebook’-u është një mënyrë për të mbushur kohën e lirë, është një lloj hobi në vetvete. Ka nga ata që nuk shpenzojnë shumë kohë në ‘Facebook’, por ndryshe nga ata, unë kam me çfarë të merrem këtu”. Evi Reçi



Bashkëpunimi i saj me Flori Mumajesin, rezulton prej vitesh shumë i suksesshëm. Prova më e mirë për këtë, është fakti se këngët e saj dëgjohen në çdo ambient ku ka të rinj dhe kërcehet. Aktualisht ajo jeton në Itali, ku punon si gazetare, dhe veç pasionit të madh që ka për muzikën, Evi Reçi ka pasion të madh edhe leximin. Ajo pëlqen gjithashtu edhe të shkruajë; natyrisht, nuk ka si të ndodhë ndryshe me një gazetare. “Hobi, përveç muzikës që është dhe e para në listë, kam edhe leximin. Më pëlqen që kohën e lirë ta kaloj duke lexuar dhe duke shkruar shpeshherë...”.
(Bluetooth)

12 Këngëtarë Rrëfejnë Pasionet E Tyre