>
BIOSHQIP

Kida E Bëri ëndrrën Realitet

15-10-2014
Ëndërronte të bëhej e famshme, ndërsa tani këtë e ka arritur. Është kjo këngëtarja Kida e cila pas suksesit të këngëve ‘O’najer’ dhe ‘Murder (remake)’, është duke punuar në dy këngë të reja, ku njëra nga to do të realizohet me videoklip dhe do të dalë në fund të muajit tetor.
Këtë gjë e ka konfirmuar menaxheri i saj Met Elshani, i cili në një intervistë për gazetën Tribuna ka folur edhe për gjithë rrugëtimin e Kides si këngëtare.

Karrierën e filloi që në muajt e parë të vitit 2014 dhe shumë shpejt ka arritur që të jetë një nga këngëtaret më ‘IN’ të momentit. Është kjo këngëtarja Oriheda Latifi apo që për publikun njihet si Kida, e cila që me debutimin e parë me këngën ‘Murder’ ka sjellë një ‘tërmet’ në skenën muzikore shqipe dhe me suksesin që e ka arritur në këtë periudhë, ajo ja ka futur frikën edhe shumë këngëtareve që tash e një kohë të gjatë janë pjesë e estradës. Kida duket se e ka shumë seriozisht me muzikën. Kjo pasi këngëtarja është duke punuar në një këngë të re. Së paku kështu ka treguar vet menaxheri i saj Met Elshani i cili në një bisedë për gazetën Tribuna ka folur rreth projektit të Kidës. “Po, Kida është duke realizuar një këngë të re e cila po punohet nga producentët Zzap and Chriss ndërsa tekstin e ka shkruar reperi BimmBima. Kënga do të ketë një përmbajtje te veçantë dhe do të temë e saj do të jetë një lidhje dashurie” ka thënë Elashni. Ai gjithashtu ka theksuar se kënga do të ketë edhe klipin për të cilin do të kujdeset produksioni ‘Imagine’. “Në javën tjetër do të fillojmë edhe realizimin e klipit që do ta bëjë ‘Imagine’ dhe do të jetë gati për në fund të muajit kur edhe do të lansohet” ishin fjalët e tij. Por, ky nuk është projekti i vetëm i këngëtares për këtë vit. Ajo do të vijë edhe me një këngë tjetër që nuk do të jetë ritmike ashtu siç jemi mësuar që ta shohim atë. Kurse sa i përket albumit, Meti ka thënë se në vitin e ardhshëm do të dalë edhe albumi i parë i këngëtares. “Për të pasur një album duhet që minimumi të jenë 8-10 këngë, kurse Kida deri me tani ka vetëm 5 të realizuara, prandaj, deri në vitin tjetër nuk do të ketë album, deri sa ajo të krijojë edhe shumë projekte muzikore të tjera” ka theksuar Elshani.

‘Tani për tani nuk do jetë pjesë e festivaleve’

Meti ka shpalosur edhe disa detaje rreth karrierës së këngëtares dhe ka thënë Kida shpeshherë ka qenë e ftuar që të marrë pjesë në festivale të ndryshme por ai nuk e ka lejuar sepse ka dashur që ajo të arrijë shumë lart edhe pa qenë prezente në evenimente të tilla, gjë që edhe ja ka arritur. “Në festivale për momentin nuk do të merr pjesë sepse më të arsyeshme e kam parë që ajo të promovohet me këngë dhe videoklipe e jo me festivale, por, nuk e mohoj faktin se ndoshta ndonjë ditë ajo do të interpretoj edhe në festivale” ka shtuar ai. I pyetur se nëse Kida do të jetë pjesë e labelit ‘PINT’ pas disa bashkëpunimeve që ka pasur me anëtarët e këtij grupi, Meti ka thënë se nuk ka mundësi për një gjë të tillë pasi që Kida është pjesë e ‘On Records’ me të cilët do të punojë një kohë të gjatë. “Jo, nuk ka shancë që Kida t’i bashkohet këtij labeli pasi që ajo është pjesë e ‘On Records’. Kida ka pasur këngë me Mc Kreshën sepse ai është shok i imi dhe ja kemi paraqit projektin, i ka pëlqyer dhe pastaj ka dal kënga”, ka përmendur Elshani. Por, nuk është vetëm Mc.Kresha që ka këngë duet me Kidën. Edhe BimmBimma ka bërë remixin e këngës ‘Murder’ dhe sipas Metit, reperi që kur e ka dëgjuar këngën ‘Murder’ ka kërkuar që t’ia bëjë remiksin për të cilën ka pranuar edhe Kida. “BimmBima ka kërkuar që t’ja bëjë këngës remixin dhe ne jemi pajtuar. Por, gjithë këto bashkëpunime me anëtarët e labelit ‘PINT’ nuk nënkuptojnë edhe bashkimin e Kidës me këtë grup” ka thënë Meti. Në fund të intervistës, menaxheri i këngëtares ka folur edhe për gjithë vullnetin e Kidës për gjithë këtë punë që e ka bërë për këta 10 muaj dhe ka thënë se që në takimin e parë me të, këngëtarja i ka treguar se ëndrra e saj është që të jetë këngëtare e famshme. “Kidën kur e kam takuar për herë të parë më ka treguar që ëndërron që të jetë këngëtare e famshme prandaj ajo gjithë këtë kohë ka punuar shumë dhe vazhdon të punojë që të arrij në majat e suksesit” ka thënë Elshani.
(Tribuna)

Kida E Bëri ëndrrën Realitet