>
BIOSHQIP

Kieda Budini: Presioni Mediatik Shtyn Kengetaret Drejt Plastikes

01-05-2012
Këngëtarja e re Kieda Budini, konkurrente në edicionin e sivjetshëm të Top Fest, rrëfen sekretet e errëta të show biz-it. Sesi media dhe presioni social bie më shumë te të ashtuquajturit pjesë e përzgjedhur e shoqërisë siç janë protagonistët e show biz-it.

Kieda kur ke filluar të këndosh?
Kam nisur të këndoj që në moshën 3- vjeçare në festivalet e fëmijëve. Më pas vazhdova shkollën e muzikës për flaut, por e ndjeva që nuk isha e lidhur me këtë instrument, ndaj studimet e larta i vazhdoj për kanto. Me gjithë daljet e mia më të rralla muzika ka qenë një pjesë e pandarë e imja.
Në një kohë kur tregu muzikor është tejmbushur me këngëtarë të rinj nuk të frikëson fakti që të kënduarit është bërë një profesion sezonal?
Kjo është e vërtetë. Por, ta zgjedhësh këngën si profesion do të thotë të marrësh mbi supe një përgjegjësi të madhe. Veç talentit dhe dëshirës duhet edhe punë. Sepse muzika nuk është shaka, për këtë arsye duhet marrë seriozisht, gjë të cilën unë e bëj.
Çfarë të shtyu të futeshe në tregun muzikor?
Mendoj se i plotësoj të gjitha kushtet për të konkurruar me këngëtarët e tjerë, veç pasionit për muzikë, unë kam një jetë që studioj dhe investoj te muzika. Për këtë arsye nuk jam rastësisht këtu ku jam.
Ke frikë se nuk do të lësh gjurmë?
Unë do të jap maksimumin. Ndodh që artiste e madhe nuk bëhesh sepse je vërtet e talentuar, ndonjëherë thjesht duhet të jesh në vendin e duhur, në momentin e duhur e sidomos të njohësh njerëzit e duhur.
Në moshën tënde pjesa më e madhe e këngëtareve të reja kërkojnë vetëm famën. Po ti e ke këtë qëllim.
Qëllimi im është të bëhem dikush në jetë.
Këngëtaret e reja në botë menaxhohen nga njerëz profesionistë të cilët studiojnë me vëmendje të gjitha hapat. Po për karrierën tuaj kush kujdeset?
Për fat të mirë unë kam vëllain që merret me produksionet e mia. Njëkohësisht ai kujdeset edhe për mënyrën sesi duhet të ekspozohem në skenë dhe te publiku.
Shpesh këngëtaret e reja për tu bërë të famshme e për të prodhuar sukses të shpejtë, me dashje bëhen pre e skandaleve. Ti do ta bëje këtë kompromis?
Ndonjëherë bëhesh viktimë e skandaleve pa dashje. Me dëshirën time s'do ta bëja kurrë një skandal për të bërë një skup mediatik.
Çfarë kompromisi do të bëje për të pasur një karrierë të suksesshme?
Do të bëja kompromis edhe me dështimet. Do t'i pranoja por nuk do të hiqja dorë kurrë nga objektivat që i kam vënë vetes.
Në Top Fest ke ardhur me një baladë, ndërkaq ke publikuar edhe një këngë ritmike si 007. Cilën rrymë preferon më shumë?
Po është një produksion i Stine. E gjej veten më shumë te baladat por kjo nuk do të thotë që do heq dorë nga rrymat e tjera muzikore.
Këtë vit në Top Fest konkurrojnë emra të njohur dhe më së shumti me balada si edhe ju. Cilën konsideroni si konkurrente të fortë?
Këtë vit ka shumë konkurrencë të fortë, ndaj është e vështirë të përzgjedh disa emra.
Cilat janë pritshmëritë e tua këtë Top Fest?
Dua të hyj në finale. Kjo gjë do të më gëzonte pa masë.
Gjatë historikut të Top Festit kur mendoni se kënga e fituar e ka merituar çmimin e parë?
E vetmja herë kur kënga e ka merituar çmimin e parë ka qenë në edicionin e dytë të Top Fest, të cilin e fitoi Alban Skënderaj. Nuk mund të them që herët e tjera këngët fituese nuk e kanë merituar çmimin, por kënga e Albanit është më shumë në shijet e mia.
Mes këngëtareve të reja është bërë e modës ndryshimi i pamjes nëpërmjet kirurgjisë plastike, përse ndodh kjo gjë?
Skena dhe bota e show biz-it ushtron një presion të madh mbi personazhet publikë. Njerëzit e thjeshtë kanë dëshirë t'i shohin të përsosur idhujt e tyre në muzikë, kinematografi, etj. Po ti vini re edhe media është shumë e egër me personazhe përsa u takon pamjes së jashtme. Kritikat që lëshojnë mbi pamjen e jashtme të këngëtareve i kanë detyruar shumë prej tyre të bëjnë operacione plastike. E pastaj kur këngëtaret bien pre e këtij presioni, i gjykojnë përse kanë bërë ndërhyrje. Askush në këtë botë nuk është perfekt, as personazhet publikë, as gazetarët dhe as njerëzit e thjeshtë.
Ju e ndjeni këtë lloj presioni?
(qesh) Deri tani nuk jam infektuar nga dëshira për të bërë ndërhyrje plastike, por nuk i dihet. Ndoshta më vonë…Thashë askush nuk është perfekt por në vitet që jetojmë mund të zbukurohemi si të duam.
Cili është leksioni më i vlefshëm që të ka dhënë profesioni i këngëtares deri më sot?
Muzika më ka dhënë më shumë besim te vetja. Mendoj që po piqem gjithnjë e më tepër jo vetëm personalisht, por edhe profesionalisht.
(Ina Hoxha Bluetooth)

Kieda Budini: Presioni Mediatik Shtyn Kengetaret Drejt Plastikes