Klajdi Haruni

Klajdi Haruni: Suksesi I Mamices I Kaloi Dhe Parashikimet

{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}
[13-07-2012]
Për djaloshin e super-hitit shqiptar, "Mamica", kjo është intervista e parë që ka dhënë për gazetat në Kosovë.

Duke na falënderuar, këngëtari Klajdi Haruni rrëfen suksesin e këngës që e bëri atë të komentohet dhe të dëgjohet nga i madh e i vogël.

Ai, së bashku me autorin e këngës, Florin, e kishin nuhatur se kjo këngë do të kishte një sukses të madh dhe madje i kaloi dhe parashikimet.

Djaloshi nga Korça e kupton censurën e videos, por tregon se kënaqet kur e dëgjon duke e thënë shqip fjalën 'hit' të këngës "Mamica". Por, cili është projekti i radhës i Klajdit lexojeni me vëmendje intervistën.

"Kosova Sot": Kur e nise ta regjistrosh këngën "Mamica", ke menduar se do të kishte kaq shumë sukses?
Klajdi Haruni: Të dy bashkë, me Florin, e kemi nuhatur që në fillim se kjo këngë do të bëhej një hit, madje Flori mendonte se do të bëhej megahit dhe, siç duket, kishte të drejtë.

"Kosova Sot": Tani je i ftuar kudo nëpër koncerte, falë hitit "Mamica", apo sepse ti këndon edhe këngë të tjera dhe ke një repertor?

Klajdi Haruni: Është e vërtetë që "Mamica", si një hit i momentit, më ka ndihmuar shumë e më ka dhënë një shtysë të madhe, për vetë faktin se unë jam një artist i ri në tregun muzikor e kjo këngë më ka bërë më të njohur për publikun. Unë kam performuar në disa koncerte në Shqipëri dhe në Kosovë, ku kam performuar në formën e një karaokeje 'live', këngë të ndryshme shqiptare, të cilat janë pritur shumë mirë nga publiku.

"Kosova Sot": Disa këngëtare të vjetra thanë se kjo këngë degradon gjininë femërore, ti çfarë u the atyre?
Klajdi Haruni: Unë e kam thënë shpeshherë nëpër intervista të ndryshme se kënga "Mamica" nuk është krijuar për të degraduar figurën e femrës, është thjesht një këngë e cila përcjell energji pozitive, të bënë ta këndosh e të kërcesh dhe njëkohësisht të argëton pa fund. Është një këngë enkas për këtë verë të nxehtë.

"Kosova Sot": Cila, sipas teje, në skenën shqiptare është vajzë e tipit "Mamica"?

Klajdi Haruni: "Mamica" mund të jetë kushdo, "Mamica" është një vajzë të cilën kushdo mund ta ketë në lagje apo në qytetin ku jeton, e cila është shumë e bukur, aq e bukur sa ka çmendur gjithë qytetin. Gjithsecili nga djemtë e sotëm e ka një "Mamicë" në mendjen e tij, qoftë kjo këngëtare ose jo.

"Kosova Sot": Çfarë u thua atyre që e kanë censuruar videoklipin e këngës "Mamica"?
Klajdi Haruni: Censurimi i "Mamicës" për transmetim në televizion mua më duket i drejtë, sepse ka disa rregulla e norma të etikës që duhen respektuar, por, nga ana tjetër, do t'u thosha diçka për shaka në filmin shqiptar "Gjeneral Gramafoni", i cili është realizuar 50 vjet më përpara, e ndoshta më shumë pjesa ku këndohet kënga e "Xhixhilesë" nuk është e censuruar, ndërsa "Mamica" në 2012 po… Hahahhahahahah...

"Kosova Sot": Klajdi jeton në Korçë, apo fama e "Mamicës" e ka bërë tirons?
Klajdi Haruni: Unë kam lindur në Korçë dhe familjen e kam ende atje, në Tiranë kam rreth 4 vjet e pak që jetoj, për arsye të shkollës të lartë, megjithatë edhe këto 4 vjet të shkollës unë kam shkuar gati një herë në javë në Korçë edhe tani bëj të njëjtën gjë. Unë jam shume i lidhur me Korçën e do vazhdoj të jem. Jam shumë krenar që jam korçar.

"Kosova Sot": Ndonjë hit tjetër në këtë verë do të ketë?
Klajdi Haruni: Të jesh pjesë e "Threedots Production" është një kënaqësi shumë e madhe, por njëkohësisht është edhe një përgjegjësi shumë e madhe dhe duhet të punosh shumë. Për momentin po punojmë disa materiale me Florin, e besoj shumë shpejt do të vijmë me diçka të re, por edhe vetë suksesi i "Mamicës" na bën pak më të vështirë këtë gjë.
 (Maksim Gjokaj/Kosova Sot)

Klajdi Haruni: Suksesi I Mamices I Kaloi Dhe Parashikimet

  Klajdi Haruni - Mamica [Teksti dhe Klipi]

Komente 0