>
BIOSHQIP

Klajdi Haruni: Artistët Xhelozë U Munduan Të Më Luftonin

17-08-2012
Me "Mamicën" kapi rekordin e klikimeve në youtube, edhe pse mori shumë komente kundër. Por Klajdi Haruni nuk e mohon dot faktin që "Mamica" i dha famën e menjëhershme. Dhe për të fituar simpatinë e atyre që e quajtën "banale" këngën "Mamica", ai shumë shpejt do të shfaqet në klipin "Lozonjare", një romancë për dashurinë e ndjerë me motive të serenatave korçare, qyteti nga ai vjen. Në këtë intervistë flet për armiqtë që takon rishtas në muzikë, që të ndier xhelozë çfarë nuk kanë bërë sipas tij për ta eklipsuar. Pas suksesit të këngës "Mamica", je duke realizuar një këngë të re me titull "Lozonjare". Shfaqesh vetëm apo sërish në bashkëpunim? Po, e vërtetë që shumë shpejt do të lançohet kënga ime e re me titull "Lozonjare", me një klip, xhirimet e të cilit janë realizuar në plazhin e Durrësit. Kënga është një krijim nga Flori Mumajesi (Threedots Production) dhe në këtë klip të realizuar nga "Pro video" unë do të shfaqem vetëm. Ndryshe nga "Mamica", në këtë këngë që në titull vihet një këndvështrim i ri për femrën, çfarë sjell ndryshe në këtë klip? Po, e vërteta është që klipi "Lozonjare" u dedikohet lozonjareve shqiptare; Në skenarin e tij është një tavolinë, një gotë verë dhe det. Me pak fjalë, klip që të fal ngrohtësi dhe dashuri. Mund të quhet ky një klip romantik, ku i këndohet ndjenjës dhe jo joshjes? Pak po, sepse dhe vetë kënga ka dashuri në vetvete, pavarësisht se nuk është baladë. I dedikohet ndonjë historie personale dashurie, apo është thjesht një ide për të prekur zemrat e të dashuruarve? Jo nuk është bazuar në një histori të vërtetë dashurie, por di të them që te teksti i këngës mund të gjejnë veten të gjithë ata që kanë pasur një histori dashurie, e kanë ende nostalgji për atë dashuri, aq sa rastësia i vendos përballë një tavoline dy të dashuruarit. Pra, historia e një ritakimi… Ndërkohë që pas suksesit me "Mamicën", sa të vështirë e kishe zgjedhjen e një këngë të re, në mënyrë që të mos humbje fansat? Pyetje me vend. Mund të them se duke pasur parasysh suksesin e "Mamicës", e kishim shumë të vështirë të sillnim një material të ri. Por më duhet të theksoj që kjo këngë është shumë profesionale, pasi nxjerr në pah dhe vlerat e mia vokale. Gjithashtu është një këngë shumë e ëmbël dhe me shumë dashuri brenda. E kemi punuar me mjaft dashuri krijimin e ri, që shpresoj të jetë i dashur për publikun, ndërsa më duhet të pranoj që "Mamica" ishte kënga që më bëri të njohur. Për këtë këngë unë kam marrë shumë ftesa gjatë gjithë verës. Pikërisht duke iu referuar famës që more me "Mamicën" dhe komenteve të ndryshme kundër asaj kënge, ç'mund të thuash tashmë për gjithçka është thënë? Në fakt, për hir të së vërtetës, mund të them se çfarë nuk bënë disa njerëz që kjo këngë të mos kryesonte si hit i verës 2012. Por ja që ndonjëherë nuk mjafton vetëm suporti apo fjala. Nuk mjafton të imitosh ide dhe t'i përshtatësh, nuk mjafton ta quash "hit" një këngë pa u dëgjuar ende nga publiku, apo akoma pa u pëlqyer, dhe më kryesorja nuk mjafton t'i bësh gjërat për inat. Publiku në shumicën e rasteve ofendohet nga këta njerëz, të cilët mendojnë se publiku është kaq naiv sa mund t'i ushqesh simpati për dikë që nuk e kanë, apo dhe të kundërtën, nuk ka qenë dhe nuk është i tillë, pra naiv. Publiku di çfarë do. Dhe ku ishin këta persona që luftuan që "Mamica" të mos bëhej hiti i verës? Nuk më pëlqen të përmend emra, por kanë qenë disa. Në fakt "Mamica" u komentua si këngë banale, ishte kjo arsyeja që ndryshove stil me "Lozonjare"? Jo aspak. Madje mund të them se, nëse do më jepej mundësia të këndoja një "Mamicë" tjetër, do e këndoja me gjithë qejf. Kjo është kënga e radhës, të cilën unë doja shumë ta këndoja e më përshtatej shumë, edhe për faktin që ka motive të serenatave korçare. Me sa kuptohet, ti thua se për "Mamicën" pati xhelozë, por për këtë këngë a do të ketë të tillë? Unë këtë këngë, siç e thashë, e kam punuar me shumë qejf, dhe besoj që do të jetë një këngë shumë e dashur për publikun, por edhe kritikat i mirëpresim, sepse na ndihmojnë të ecim përpara.
(Panorama Plus)

Klajdi Haruni: Artistët Xhelozë U Munduan Të Më Luftonin