Më mbaj mend (për 1 muaj)


Ndahet Nga Jeta Laver Bariu

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1
[26-01-2014]
Kultura dhe muzika popullore shqiptare kanë humbur një ndër kolosët e saj, Laver Bariun, i cili u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Personalitet i muzikës popullore shqiptare, Laver Bariu ka lindur në 2 maj të vitit 1929 në qytetin e Përmetit. Karrierën e ka nisur që në moshë të re duke fituar një sërë çmimesh. I pari si instrumentisti popullor më i mirë në vitin 1952, kur ishte vetëm 23 vjeç. 2 vjet më pas bën regjistrimin e këngës së parë me saze... E kështu me radhë, Laver Bariu ka marrë pjesë si figurë kryesore në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe kombëtare.

Sazet e krijuara nga Laver Bariu nuk ishin konceptuar thjesht si një formacion tradicional që interpretonte vetëm me vegla, por edhe si një grup shoqërues i këngëtarëve ndër më të njohurit të muzikës popullore shqiptare. “Bilbilat e Përmetit” kanë bërë një mori të pafundme prodhimesh muzikore ku përfshihen edhe hyrje këngësh, kaba, valle dhe interpretime të pjesëve të ndryshme me repertor të vjetër dhe të ri.



Usta Laveri, siç e njihnin të gjithë, ka qenë mësuesi dhe udhëheqësi i shumë figurave të muzikës popullore duke u mësuar ABC-në e një instrumenti si gërneta. Është e papërsëritshme vlera që Laver Bariu dhe sazet e tij i dhanë iso-polifonisë që është trashëgimi kulturore e çmuar nga UNESCO.

Laver Bariu konsiderohej si i fundit i ustallarëve të sazeve të Shqipërisë së jugut. Formacioni i tij ka qenë dominues që prej viteve 1950 e deri në ditët e sotme. Ka regjistruar materialet muzikore të një filmi të famshëm si “Gjeneral Gramafoni” së bashku me Mentor Xhemalin e po ashtu ka marrë pjesë edhe në prodhime të shumta të tjera si filmi “Këngët e zemrës”.

Regjistrime të shumta të kabave të famshme të tij janë bërë edhe në Britaninë e Madhe, Gjermani, Greqi, Suedi e deri në Australi. Në vitin 2001 është dekoruar me titullin Mjeshtër i Madh i Punës e po ashtu Nder i qytetit të Përmetit së bashku me figura të tjera të mëdha si vëllezërit Frashëri, Odhise Paskali e Mentor Xhemali.

Shqipëria ndahet nga një kolos si Laver Bariu që megjithatë lë pas vepra të pashlyeshme që do mund të jetojnë gjithmonë si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar si vlera të rralla të tij.
 (Top Channel)



Komente mbi këtë artikull