>
BIOSHQIP

Ledina: Vij Gjithmonë Para Publikut Me Këngën Që Ndiej

02-12-2013
Rikthehet pas shtatë vitesh në garën e festivalit “Kënga Magjike” me një baladë dashurie, shumë tërheqëse për publikun e këtij festivali. Tashmë që jetën e saj me bashkëshortin e saj dhe djalin dyvjeçar e ka ndërtuar në Gjermani, Ledina Çelo konkurron sërish mes miqsh këngëtarë, ku pohon se më të vështirë ka momentin e votimit për kolegët sesa sfidën e konkurrimit pas kaq vitesh karrierë. Në këtë intervistë rrëfen pse merr pjesë me një këngë të tillë dhe sa e pret fitoren sot në mbrëmje.
Rikthehesh pas shtatë vitesh në garën e “Kënga Magjike” me një baladë të titulluar “Gaboja”. Në lëkurën e cilit prej bashkëpunëtorëve të këngës ka jetuar kjo histori e ndjerë dashurie?
Mendoj që nën lëkurën e asnjërit prej nesh, madje mund të them se kjo këngë lindi në një çast të vetëm. Sapo kompozitori Adi Hila vendosi duart në piano dhe realizoi melodinë fillestare, ashtu spontanisht e ndjeva që kjo muzikë isha unë, më përshtatej dhe i thashë: “Adi kjo është ajo që dua, më pëlqen kjo melodi dhe kështu realizuam një këngë të tillë”.
Po vargjet janë si monolog me veten, një histori dashurie e fortë ku rrëfehet humbja e vetvetes… Për kë ky vetëmohim?
Në fakt, unë vargjet e këngëve të mia i konsideroj komponent shumë të rëndësishëm për një produksion të kompletuar, dhe natyrisht që do bëja zgjedhjen e duhur për këtë muzikë që më ngjiti që në momentin e parë. Personi më i përshtatshëm për të shkruar këto vargje ishte Olti Curri, me të cilin kisha ngelur shumë e kënaqur me tekstin e këngës “Më ndez”, një bashkëpunim me Dren Abazin.
Tashmë Dren Abazin, ashtu si shumë këngëtarë të tjerë, i ke shumë miq dhe rivalë në këtë garë. Si ia bëre me votimin?
Të them të drejtën, ky ishte momenti më delikat dhe më i vështirë për mua, që më shkaktoi shumë stres. Pasi i dëgjova të gjitha këngët, vërtet ndjeva vështirësi për të votuar kolegët e mi, pasi pjesën më të madhe të artistëve i kam miq dhe këngët janë të gjitha të bukura. “Kënga Magjike” ka një larmishmëri rrymash, artistët po ashtu të gjithë të spikatur dhe që prezantohen secili me një stil të veçantë, dhe unë momentin e votimit e konsideroj më të vështirin në këtë garë. Me të vërtetë ndihem e prekur për këngëtarët e rinj, që sapo fillojnë karrierën në këtë treg të vështirë të muzikës, pasi kam qenë edhe vetë si ata në fillimet e mia, më është dashur shumë punë për të arritur deri këtu.

Ti votove emrat e këngëtarëve apo këngët e tyre?
Unë jam përpjekur të jem strikte në votimin tim, duke menduar se një emër i mirë këngëtari e justifikon po ashtu një këngë të mirë me zërin e tij apo të saj.
Do të veçoje këngëtarin apo këngëtaren tënde të preferuar në këtë edicion të “Kënga Magjike”?
Mos më kërkoni të përmend emra, por shumë këngë pjesëmarrëse i kam shijuar vërtet në këtë rikthim timim pas 7 vitesh në “Kënga Magjike”.
Shumë konkurrentë në bisedat mes tyre e kanë veçuar këngën tënde si të prerë për këtë festival. Nga Gjermania vjen me bindjen për të fituar ti këtë edicion të 15-të “Kënga Magjike” sot në mbrëmje?
Të them të drejtën, kur bëra gati valixhet për t’u nisur nga Gjermania ku jetoj me bashkëshortin dhe djalin tim Erlis, e mendova këtë pjesë. Në fakt, për mua kjo është një sakrificë që vij bashkë me djalin 2 vjeç, duke vazhduar ende me ëndrrat dhe pasionin tim prej artisteje, por që ai ende s’i kupton se është i vogël. E nuk di çfarë të them për fitoren time ose jo sot, e rëndësishme është që unë ndihem mirë me këtë këngë dhe po e shijoj.
Historia 15-vjeçare e “Kënga Magjike” ka diktuar se baladat kanë triumfuar. Ishte e qëllimshme pjesëmarrja jote me një baladë?
Mua balada më qëndron, më shkon si këngëtare dhe kjo ishte arsyeja pse mora pjesë me një këngë të tillë në “Kënga Magjike”.
Nga kënga me titull provokues “Më ndez” vjen me një titull pendues “Gaboja”. Je një këngëtare që bën strategji me daljet e tua?
Jo, në karrierën time muzikore nuk kam funksionuar asnjëherë me strategji, dhe nuk më pëlqen kjo gjë, pasi ç’vlerë do të kishte për një artist të vërtetë nëse do shfaqej në skenë me strategji? Vij gjithmonë para publikut me këngën që ndiej. Gjithçka është intuitive dhe e ndjerë sipas momentit dhe vendit.

KLOTILDA HARKA
(Panorama)

Ledina: Vij Gjithmonë Para Publikut Me Këngën Që Ndiej