>
BIOSHQIP

Leonora Poloska: Do Të Dashurohem Kur Të Jetë E Shkruar

25-11-2012
E suksesshme në karrierë, mbase gjithnjë pretenduese për të ecur përpara, por s'duket fati nuk po i buzëqesh në dashuri. Edhe këtë vit këngëtarja nga Maqedonia Leonora Poloska po e përmbyll pa të dashur. Megjithatë ajo ndjehet mjaftë optimiste se një ditë do ta takoj djaloshin e ëndrrave të saj me të cilin shpreson të ketë një të ardhme të ndritur.

Leonora aktualisht është shumë e angazhuar në fushën e këngës, ajo do të sjellë disa projekte të reja muzikore tani në këtë fundvit, dhe përveç këngëve ndoshta do të mund të sjellë edhe ndonjë videoklip për adhuruesit e saj. Leonora në intervistën dhënë "Zërit" do të zbuloj rreth angazhimeve të saj muzikore, por pak edhe nga jeta private.

Ka kohë që nuk ju kemi parë me ndonjë projekt të ri, çfarë po punoni aktualisht?

Është e vërtetë që këto muajt e fundit nuk kam qenë shumë aktive me projekte të reja muzikore, për shkak të angazhimeve të tjera që kam pasur dhe të cilat po ashtu lidhen me profesionin e këngës. Dhe tani aktualisht kam nisur punën për disa projekte të reja muzikore të cilat kam përshtypjen se do të pëlqehen në publik dhe kah fundi i këtij viti do të jenë në duar të adhuruesve.

Tani sigurisht që keni nisur edhe xhirimet për festat e fundvitit, me çfarë risish do të paraqitesh?

Ka disa javë që jam e angazhuar me xhirimet e festave të fundvitit, jam duke bërë udhëtime të shumta nëpër shumë vende dhe televizione të ndryshme me të cilat po realizojmë programet e Vitit të Ri. Jam duke u munduar të paraqitem sa më bukur dhe natyrisht po të jem më ndryshe. Në realitet adhuruesit do të shohin një Leonorë më ndryshe, por ende vazhdoj ta ruaj stilin tim të përhershëm.

Si mund ta përshkruash këtë vit që po e lëmë pas, kishe më shumë batica apo zbatica?

(Qesh), edhe ky vit si shumë vite të tjera më ka sjellë suksese në fushën e këngës. Mund të them se ishte një vit i mbarë me shumë punë dhe shumë suksese. Por natyrisht se pretendimet e mia janë që të vazhdoj edhe më tutje me këtë temp, sepse kënga është profesioni që më bënë të ndjehem më së miri. Dhe adhuruesit janë ata të cilët më kanë bërë të jem kjo që jam, sepse pa ta nuk do të mund të arrija deri këtu. Prandaj i falënderoj shumë kudo që janë duke u uruar që suksesi i tyre në jetë të mos mungojë asnjëherë.

Viti që po e lëmë pas padyshim se të solli suksese, por jo edhe në dashuri, çfarë mund të na thuash për këtë?

Është e vërtetë që suksese të shumta pata në këngë, kudo kam qenë e kënaqur me performancat e mia. Mirëpo sa i përket jetës sentimentale është e vërtetë se ende vazhdoj të jem singël. Por edhe kjo është punë fati dhe kësmeti, kur të jetë kësmet edhe kjo do të realizohet. E rëndësishme është që të jem mirë me shëndet, të arrijë karrierën edhe më shumë dhe të tjerat vijnë me kohë.

Mendon se 2013-ta do të sjellë të dashur?

(Qesh), shpresoj që ndoshta në vitin 2013 do të gjej të dashur. Por thash edhe më parë kjo është punë fati dhe kismeti. Uroj që të gjej një djalë të sjellshëm, të sinqertë, të më dojë kështu siç jam me të mirat dhe të këqijat, dhe natyrisht të më mbështes në profesionin tim.

Çfarë do tu thuash adhuruesve për fund?

Adhuruesve ju premtoj rikthim të fuqishëm në skenën muzikore me këngë dhe klipe të reja të cilat do t'u pëlqejnë shumë. Ndërkaq uroj që edhe në vitin tjetër që do të hymë, të kem sa më shumë suksese në fushën e këngës. Do të mundohem që profesionin tim të këngës ta profesionalizoj sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë që as unë dhe as adhuruesit e mi mos ta ndiejnë mungesën e këngëve të mia. Suksese të gjithë adhuruesve kudo që janë.
(K. Bajrami / zeri)

Leonora Poloska: Do Të Dashurohem Kur Të Jetë E Shkruar