>
BIOSHQIP

Leta: “Shteti Nuk Na Përkrah”

24-05-2014
Me një karrierë shumë të gjatë në skenën muzikore, duke filluar nga fëmijëria e saj e hershme, këngëtarja e popullarizuar Filloreta Ismajli-Leta vazhdimisht ka sjellë një freski me hitet dhe albumet e saj të shumta. Në repertorin e saj tashmë gjenden hiq më pak se 10 albume, ku për çdo vit ka sjellë nga një album për adhuruesit e saj. Është njëra nga këngëtaret e rralla që paguan rregullisht tatimin ndaj shtetit, por ndjehet e dëshpëruar me institucionet të cilat edhe përkundër kontributit të saj, nuk i përkrahin dhe as nuk i mbrojnë aspak. Në këtë intervistë për “Zëri”-in, ajo flet për punën e saj, jetën dhe vështirësitë me të cilat sot përballet një artist.

Jeni një këngëtare me një bagazh të madh në skenën muzikore, por kur është filli i karrierës suaj?

Që e vogël kam kënduar nëpër kore të shkollës fillore pastaj në shkollën e mesme kam qenë e angazhuar se bashku me profesorin e muzikës Zef Prenaj nëpër koncerte dhe se pari herë në jetën time kur isha vetëm 11-vjeçe, pra ishte viti 1993, ku me insistimin e profesorit dhe se bashku me të ishte paraqitja ime e parë në aheng familjar (dasmë). Pastaj kam vazhduar të jem anëtare e ansamblit “Jehona-Dukagjinit” nga Klina. Në vitin 1997 në festivalin “Kosovarja Këndon”, jam shpërblyer me vendin e parë në mesin e shumë ansambleve nga viset shqiptare. Anëtare e ansamblit kam qenë deri në vitin 2003, pastaj kam vazhduar e pavarur.



Sa albume keni realizuar deri më tani?
Albumi im i parë në treg ka qenë në vitin 2004. Nga viti 2004 deri më sot për çdo vit kam nxjerrë nga një album në shitje dhe deri tani gjithsej kam 10 albume, derisa albumi i 11-të del në shitje gjatë muajit korrik të këtij viti.

Çka mendoni për muzikën e ditëve të sotme?

Të them të drejtën tash ka shumë zgjedhje rreth muzikës, shumë këngëtarë/e të rinj që janë të mirë vokalisht por tani për tani është zor me depërtuar në skenën tonë sepse ose duhet të jepen të holla ose duhen nëse janë femra të duken shumë të bukura dhe të zhveshura.

Cili zhanër i muzikës të fle më shumë në shpirt?

Padyshim se ai popullor.

Si ndjeheni kur dëgjoni një këngë të kënduar prej jush, e që e këndon dikush tjetër?
Ndjehem mirë kur ta këndon dikush që ka vokal të mirë, por nëse e këndon keq nuk kam dëshirë me e dëgjuar.

Kohëve të fundit keni qenë mjaft aktive, duke sjell për publikun shumë këngë. Sa është e vështirë të realizosh një këngë me videospot, duke marrë parasysh shpenzimet mjaft të larta për realizimin e tyre?

Është shumë e vërtetë që kam pas angazhime shumë të mëdha si në ahengje të ndryshme familjare, mbrëmje rinore në Kosovë dhe diasporë, por nuk është e vështirë nëse ke punë dhe duhet ta dish se pa investime nuk ka edhe perspektivë. Megjithatë për një këngë me një spot të mirë, duhen goxha shumë të holla.

Shkruan vetë tekste për këngë?
Po kam shkruar por vetëm për veten time.

Mendoni se për të qenë e suksesshme në këngë, sot, për sot, nevojitet më shumë se gjithçka të jesh e bukur?
Duhet të ose të jesh tepër e përgatitur mirë vokalisht, ose të jesh e bukur.

Zakonisht, prag vera është koha kur gjithë këngëtarët bëjnë këngë të reja, me synimin për të qenë pjesë e koncerteve verore. A keni në plan të realizoni edhe ju një të tillë?

Po, këto ditë do të del klipi im i ri, që është një baladë tepër e mirë dhe është e punuar nga mjeshtrit më të suksesshëm të muzikës shqiptare. Teksti është shkruar nga Fatmir Muja, muzika dhe orkestrimi nga Virusi dhe klipi i realizuar tek ‘Max-Production’.

Rrjeti social “Facebook” por edhe rrjetet tjera janë bërë një urë komunikimi sot në gjithë botën. Për ju, sa i rëndësishëm është dhe sa e përdorni?

Rrjeti social Facebook është shumë i dobishëm për ne këngëtarët, sepse është edhe mënyrë e komunikimit më të lehtë dhe është shumë reklamë e mirë për ne, për çdo gjë të re nga ne, e gjen në rrjetet sociale.



Në planin e dashurisë ku qëndron Leta?
Jam shumë e lumtur, pasi kam një familje të shëndoshë përkrah bashkëshortit tim dhe fëmijëve të mi.

Nëse nuk do ishit këngëtare, ku mund ta imagjinonte tjetër veten Leta?

(Qesh) Kuzhiniere. Kuzhinën e kam qejf, me siguri do ta kisha një restorant timin dhe vetë do të punoja aty në kuzhinë. Ose do të bëhesha aktore, sepse kam talent edhe për aktrim.

Shumica e këngëtarëve, mos të them të gjithë, edhe përkundër fitimeve të mëdha që kanë nga koncertet në vend dhe diasporë, nuk paguajnë tatim për shtetin e Kosovës. Si qëndron Leta në këtë drejtim.

Që nga viti 2009 deri më sot kam firmën e regjistruar si këngëtare dhe ia paguaj tatimin rregullisht Republikës së Kosovës. Mirëpo, një gjë nuk i kuptoj institucionet tona! Pse nuk u japin prioritet apo motivim estradës që kontribuojnë për buxhetin e shtetit tonë apo nuk ju intereson kush paguan tatim kush jo.
(Zëri)

Leta: “Shteti Nuk Na Përkrah”