>
BIOSHQIP

Lori: Nuk Kam Kohë Për Martesë

30-12-2012
Është e vështirë ta takosh biondinën e estradës shqiptare që ka shumë vite që është ambientuar shumë në Prishtinë ku ka zgjedhur të jetojë.

Por, në këtë fundviti mes shumë angazhimeve, këngëtarja Lori me shumë kënaqësi ka gjetur kohë që të shijojë një kafe me ne dhe gazetës sonë t’i flasë për çdo që ajo veçon nga ky vit që po ikën, 2012.

Këngëtarja Loreta Kaçka-Lori ka rrëfyer në këtë intervistë për angazhimet e saja të shumta dhe një prurje të madhe të këngëve dhe videoklipeve. Por, a ka Lori ndonjë peng dhe cila është data më e veçantë e 2012-s, apo mos ka pasur ndonjë propozim për martesë? Gjatë leximit të kësaj intervistë do të mësoni më tepër.

“Kosova Sot”: Për Lorin 2012 ishte?
Loreta Kaçka: Ishte viti i mbushur me punë, me suksese dhe me 4 video të reja dhe disa këngë audio për programet festive.

“Kosova Sot”: Dita, data, apo koncerti më i veçantë?
Loreta Kaçka: 28 Nëntor në Australi, do ta mbaj mend gjatë në kujtesën time, ku për festën e 100-Vjetorit të shtetit shqiptar kanë qenë në sheshin e Melburnit 10 mijë vetë.

“Kosova Sot”: 365 ditët e vitit, sa ditë pushim?
Loreta Kaçka: Nuk mund të flas, pasi kam bërë ndoshta vetëm 3 ditë pushim, prandaj ditët e fundit po më zë shumë gripi pasi jam pa imunitet.

“Kosova Sot”: Në cilin event ruan kujtimin më të bukur, ose qoftë edhe një foto më të bukur?
Loreta Kaçka: Po mund të përmend atë të festës në Australi, ku është edhe një video e hedhur në kanalin ‘Youtube’, ka edhe të tjera, por kjo ka qenë shumë e veçantë për shkak të 100-Vjetorit të Shqipërisë.

“Kosova Sot”: Ti solle në këtë fundvit edhe një baladë të bukur?
Loreta Kaçka: Kënga “Nuk mundem” është një baladë që është realizuar në mënyrë profesionale dhe që më pëlqen shumë. Mendoj se është një gjetje shumë e mirë e Florit dhe videoklipi është përshtatur jashtë mase dhe që është një fabul e gjetur.

“Kosova Sot”: Ndonjë peng i këtij viti?
Loreta Kaçka: Falë Zotit jo, vetëm se nuk kam shkuar në pushime..shaka..(qesh)

“Kosova Sot”: Ndonjë kompliment apo dhuratë e veçantë e 2012-s?
Loreta Kaçka: Janë të zakonshme dhe të shumta komplimentet. Dhuratë e veçoj pritjen në Australi që nga aeroporti me lule dhe një arushë që mbante flamurin e atij vendi nga një zonjë që ishte pjesë e stafit të koncertit në Australi dhe më pas dy tufa lulesh nga fëmijët atje.

“Kosova Sot”: Ndonjë propozim i veçantë për fejesë apo martesë?
Loreta Kaçka: Haha.. Nuk kam pasur kohë dhe ku më ta gjej, sepse kam qenë shumë e ngarkuar me punë.(qesh)

“Kosova Sot”: Hiti yt i këtij viti dhe një hit i huaj për ty cili ka qenë?
Loreta Kaçka: Hitet e mia ndoshta ‘Për ty jetoj” dhe ‘Nusja jonë’, ndërsa nga hitet e botës veçoj ‘Psy’ me këngën ‘Gangnam Style’.

“Kosova Sot”: Në orën 00.01 2013 ku do ta presësh, dhe do të kesh një lutje, apo më shumë për t’ia kërkuar Vitit të Ri?
Loreta Kaçka: Do ta pres në Gostivar në një restorant së bashku me vëllezërit Aliu. Ndërsa unë, meqë këndoj edhe në ndërrimin e viteve, harroj të bëj lutje, pasi jam duke kënduar, e ishalla në minutën e parë të vitit nuk më zë duke kënduar dhe do të mundohem t’i drejtoj lutje Vitit të Ri.
(Intervistoi: Maksim Gjokaj)

Lori: Nuk Kam Kohë Për Martesë