>
BIOSHQIP
Biografia
Gruaja me emrin Luiza Papa shquhej për veshje të veçanta tërë elegancë, për stilin e saj perëndimor dhe për topuzin e famshëm që gjithnjë e ka pasur të veçantë dhe i jepte hir mbretëreshe. Të gjithë në Tiranë e njihnin dhe kënaqeshin kur vetëm e shikonin dhe e admironin. Aq i veçantë do të ishte stili i saj në veshje sa femrat e Tiranës të gjithë e kopjonin dhe në rrobaqepësitë e kryeqytetit të gjitha gratë shpreheshin se donin një fustan si të Luiza Papës. Luiza kishte fatin që nënën e saj ta kishte një mjeshtre rrobaqepësie dhe në shtëpinë e saj kishte dhe makinë trikotazhi që punonte bluza me fije. Ndaj e bija do të ishte modelja e parë dhe që do bënte trend në gjithë Tiranën. Dhe përveç kësaj kishte një trup të skalitur si Sophia Loren dhe një fytyrë të harmonishme dhe mrekullisht të bukur si një divë kinemaje.

“Si të gjithë në Shqipërinë e asaj kohe mundoheshin dhe të sajoheshin bukur. Pra përdornin ndonjë fustan të vjetër duke i marrë copën dhe duke sajuar një fustan të bukur me një model të ri. Pra me një nënë rrobaqepëse gjërat për të ishin më të lehta”, shprehet ajo.

Gruaja më e bukur e kryeqytetit kishte një sqimë perëndimore në veshje. “Shikonim ndonjë film, ndonjë të huaj dhe mundoheshin të kopjonim modelin e artisteve”, thotë ajo.

Ndër preferencat e veshjeve të sja ishin ngjyrat e bardha, blu, rozë e hapur dhe jeshile ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe ato të fortat nuk ishin pjesë e garderobës së saj.

Pas fejesës më Gaqo Çakon ajo filloi të bëhej më fanatike për veshjen. Duke qenë se fati e kish lidhur me një emër të lakmuar të botës muzikore, një prej tenorëve më të mirë shqiptarë ajo filloi të ishte më e kujdesshme për pamjen e saj të jashtme. Trend i asaj kohe ishte një tualet i thjeshtë dhe një e veçantë që ajo e kish ruajtur gjithmonë: flokët topuz. Një model flokësh që gjithnjë i ka dhënë pamje mbretërore dhe aristokratike.

Të gjithë ata që në Tiranën e asaj kohe ndiqnin ngjarjet e mëdha artistike të kohës do të mbajnë mend veshjen e Luiza Papës në skenë. Aq sa biletat do të shiteshin për të parë sesi kjo vajzë e bukur dhe me sqimë por dhe me një talent të veçantë do të interpretonte në skenë.

Me Gaqon fillimisht kishin një miqësi të pastër e të sinqertë. Dashuria mes tyre lindi kur shkuan në Rusi kur ishin të dy për studime. Ditët e pushimit dilnin të dy bashkë në qytet, diskutonin, flisnin dhe thurnin plane për të ardhmen. Në Rusi kishte femra shumë të bukura, por me kalimin e kohës ato gjenin gjithnjë gjëra të përbashkëta dhe shpejt arritën në idenë se ishin të prerë për njëri-tjetrin. Dhe një ditë prej ditësh Gaqo i shprehu dashurinë.

Dhe kështu sapo u kthyen nga Rusia u martuan. Ishte viti 1963. Filluan punë në Teatrin e Operas dhe atje bënë një karrierë të lavdërueshme.

Por ishte e çuditshme sepse siç ishte zakon në Shqipërinë e asaj kohe ajo kishte një cen në biografi. Në atë kohë ishte problem i madh por ajo u tregua e sinqertë me shokun e saj. “Dashura është më e fortë se biografia”, u shpreh Gaqoja, dhe u mbyll ai muhabet.

Me Gaqon ishin një çift i përsosur. Janë respektuar në maksimum dhe gjithë jetën kanë mbrojtur dhe dinjitetin e një prej çifteve më të lakmuar të Tiranës. Sigurisht që nuk ka qenë një gjë e lehtë. Sepse ishte artiste, ishte një grua e bukur dhe ngacmimet e jashtme kanë qenë gjithnjë të mëdha. Por është munduar që gjithë jetën të ruajë dinjitetin e saj.

Një familje artistësh që gjithë jetën kanë bërë bujë me karrierën e tyre dhe kanë lënë një shije pozitive tek të gjithë me gjithçka që arritën në jetë.

E ndërsa kalojmë përsëri tek e kaluara ajo buzëqesh. Komplimenteve se ka qenë gruaja më e bukur e Tiranës i përgjigjet me një buzëqeshje të dlirë. Ishte artistja që vidhte zemra njerëzish me gjithë aureolën e saj dhe mund të quhet artistja dhe modelja e famshme e viteve 60-të në Tiranë.

Në Dhjetor 1962, Luiza Papa merr pjesë në Festivali I 1-Ë Në Rtsh me këngën "Porsa Çel Agimi".

Në Dhjetor 1962, Gaqo Çako & Luiza Papa marrin pjesë në Festivali I 1-Ë Në Rtsh me këngën "Lum Kush Dashuron".