>
LETERSISHQIP

Ekzod

Vaji i fëmijëve mallkonte rrugës mbi gjakun e vet,
shkelur zbathur me qemështin e nënës në buzë
rrugës për të ikur nga trolli Ilir,
nga flaka e vdekjes përhapur gjithandej,
mbi blerimin mbjellë në zemër,
bashkë me nënën e me një çantë me pak bukë,
që të mbajnë shpirtin në shtegëtimin e zogjve,
drejt vendeve të ngrohta.
Mirë se erdhe, të thoshte gjysma tjetër e atdheut,
konaku i fqinjëve gjithashtu,
me zemrën e nxjerrë jashtë,
që bijtë e tjerë të shqipes,
të ndihen si në shtëpinë e vet,
si në oxhakun e gjyshit dikur,
bashkë me përrallat e ninananat,
që gjumin të bëhej i qetë,
zbritur nga krahët e tmerrit,
pa gjëmën e birit tjetër të zhdukur,
pa varr e pa nishan,
kthyer diku në muranë,
me gurët e gjakut,
përmendore e trishtimit dhe e mallkimit,
zë i qyqes në degën e thatë.