>
LETERSISHQIP

Na Nuk Jena T'ktuhit

Por, se të qënët këtu është shumë, dhe siç duket
e këtushmja gjithë na e ka nevojën, kjo e bjerrshmja
që habitshëm na mban. Ne, më të bjerrshmëve.

R. M.Rilke (Elegjia e nëntë)

Ka kohë që e kam kuptue se nuk jena t’ktuhit,
ndoshta pa dalë ende n’dritë
me sy t’mbyllun prej udhësh që e kanë msue
ma së mirit artin e t’ndenjunit në nji vend,
edhe ma mirë atë t’qenit i shkelun.

Po bota nuk e ka nji vend dhe për ne
Nuk jem’ t’ktuhit.
Jem’ sytë e nji universi t’largtë
që era i pruni këtu padashtë.
Jem’ hije për vështrimet vdektare,
nuk kem’ t’shkume as t’ardhme
në nji dhé t’pangjyrë, në nji shpi pa dritare.

Udhësh të tjera shohim shfaqjen tonë t’dashtun
aktorët n’skenë,
monologje andrrash t’bardha, ditësh e stinësh,
t’prekuna veçse n’ajër;
pa buzqeshje t’ngjitun pas lëkurës si ma i madhi art,
pa maska.
Ka kohë që due me shkue atje, diku, veç jo këtu.
Veç jo pranë duersh që duen me prekë e me ikë,
ku shtrihen trupa t’plasmastë
e madhohen n’zbemjen e tyne.

E fundja ç’ka na duhet ktuhja?
Kur me pi nuk mundemi shpirtin e njani – tjetrit,
kur zgjedhim me qenë larg,
kur zgjedhim mos me u pa,
kur zgjedhim mos me u bashkue kurrë,
veçse në nji skenë ku rolet caktohen prej jashtë
pa u njoftë shkulmi as vala e brendshme,
se vetëm e jashtmja vlen për t’dukshmit.

Ti nuk ke si me i përkitë prekjes,
kur je hije.
Kush i don hijet i dashtun?
Edhe ti e ke kuptue që nuk ke pse duron
shkumën e dritës së zezë që t’shpërhapet trupi;
tue dashtë me t’marrë shpirtin,
tue dashtë me t’ndrrue andrrën,
tue dashtë me t’fshi ekzistencën tande t’veçueme.

Na jem’ dy kufijtë e fundmë
që sagën e rrugës tonë nuk e sosim,
as valsin e fjalëve lëshue për flokësh t’ajrit,
as tangon e puthitjes së trupave tanë.
Na nuk dimë me u ngi e as me hangër jo,
pos nji kangë gjaku që bie mbi lulet e pjeshkave.
Nuk dimë me kendue ma
dhe aty na meket zani,
aty tërhiqen vetëm kordat deri n’këputje,
pa u këputë asnjiherë!
E krejt qiellin e shtrimë, me sinqeritetin e tij t’pamatë,
e kalojmë mes fjongosh t’bardha;
si lëkura ime e shkyeme,
si ajo e jotja e zhubrosun,
dyerve t’Edenit me shiun dinak që na shpërlau.

Ndoshta kuptimi t’çon n’veprim
dhe duert e mia t’shtrime rrinë që kur panë dritën tande.
Asht mirë me qenë në t’ikun.
Ti e di, na nuk jena t’ktuhit.
E shijojmë kaq fort t’qenunit t’pezullt.