>
LETERSISHQIP

Ne Do Të Martoheshim Një Ditë

Ne do të martoheshim një ditë!
E mbaj mend posi
Unazat që numëroje një nga një
Dhe fustanet,
Shtretërit,
Shtëpitë,
Komodinën,
Këpucët e mia dhe takat e tua
Kostumet e mia dhe dantellat e tua
Të dielave varur në tela
Ah, dhe fëmijët...
Të hënave në shkolla
Dhe ne në punë, si zakonisht
Darkave me në fund, një shishe verë
Të gjitha këto tingëllonin si poezi
Dhe përherë, i përsërisnim dy a tri herë
Pastaj të qeshurat e tua të veshura me ëndrra
Dhe të tjera, dhe të tjera
Ah sa shumë
Puthjet në kurriz e nishane, që rridhnin lumë
Shumë të tjera...
Ne do të martoheshim një ditë
Mbase në verë
Ose në vjeshtë
Dimër a pranverë
Por...
Do të martoheshim.