>
BIOSHQIP
Biografia
Të ruajmë, të kultivojmë e të përçojmë të pastër folklorin, këtë gurrë të pasur e të pashtershme të popullit tek njerëzit e në breza. Kjo është moto e punës së tij krijuese shumëvjeçare, e mjeshtrit të muzikës, kompozitorit, kantautorit, këngëtarit, instrumentistit e orkestruesit të talentuar, Mark Gjoka dhe bashkimi i traditave kulturore e muzikore dhe përçimi i tyre i pastër tek shqiptarët kudo që punojnë e jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Zvicër, Diasporë, në koncertet e tij, ku tashmë janë bërë pasuri e fondit të artë kombëtar të këngës mbarëshqiptare e kurdoherë virtuoz, i qeshur dhe energjik. Duke dëshmuar, më së miri, se kënga folklorike, është trashëgimi e vlerave më të mira kulturoro-artistike e çdo treve e kombit, ndaj mbetet detyrë e secilit artist apo institucioni kulturor, që ta mbështesë në çdo kohë promovimin e saj, për të ruajtur e përçuar të pastër folkun, gurrën popullore, siç është folklori tek brezat si trashëgimi kulturore e krenari e kombit tonë, si promovim i vlerave kulturoro-artistike, këtë vlerë e thesar të vyer, për të ruajtur, kultivuar e përçuar origjinalitetin e identitetin epik e popullor, siç po bën me krijimtarinë e tij të pasur afër 40-vjeçare kompozitori e kantautori i shquar Mark Gjoka, duke vazhduar traditën e bukur të transmetimit në breza të folklorit. Këngët e mia, krijimet e mia vijnë tek ju në Vitin e Madh të Festës së Kombit tonë, 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe e ndjej si detyrim, që ky libër të hapet me Himnin e Flamurit, simbolin tone kombëtar, shkruan Marku, në fillim të librit të tij me përmbledhje të 100 këngëve më të mira nga Mirdita, vendlindja e këngës së tij, një perlë, legjendë, për ta njohur të gjithë, titulluar “100 Zambakë Mirdite”, që vijnë si flladi i bjeshkëve nga një vend me tradita patriotike, kulturore, arsimore e muzikore, siç është treva e Mirditës, prej nga është frymëzuar në krijimtarinë e tij të pasur artistike, biri i saj, kantautori e kompozitori i mirënjohur, Mark Gjoka, që e vazhdon me gruan e tij, këngëtaren e talentuar, Tone Gjoka, e vazhduesve të tij, djemve të talentuar: Saimirit, Arbrit e Taulantit, që me zambakët e Mirditës, po hijeshojnë lisin e madh të këngës shqiptare. 100 këngë, zambakë Mirdite, të përfshira nga autori, kompozitori i njohur Mark Gjoka, janë zambakët e parë të këngës së tij, që në rini e deri sot, një tufë me zambakë homazh, me shumë mirënjohje gjithë atyre brezave, që e sollën këngën mirditore kaq të pastër burimore e me shumë vlerë, ku autori e paraqet në libër mjeshtërisht me tekst dhe nota pentagrami, një punë e lodhshme, por fisnike e profesionale që mund të jetë pikë referimi për krijuesit e interpretuesit e rinj. Dhe këtë krijimtari të pasur muzikanti i mirënjohur Mark Gjoka, ia dedikon prindërve të tij të dashur, që i dhuruan jetën dhe këngën: nënë Prenë e babait Nikollë, bashkudhëtares, bashkëshortes, këngëtares së talentuar: Tone Gjoka, vazhduesve të genit të tij djemve të talentuar: Saimirit, Arbrit e Taulantit, adhuruesit të tij, poetit të mirënjohur, Gjokë Beci, profesorit të nderuar, Zhani Ciko, këngëtarit Ardit Gjebrea etj. Ua dhuroi të gjithë atyre, që sot i japin dritë zambakut të këngës mirditase me dashuri e përkushtim, shprehet artisti i mirënjohur Mark Gjoka. Një tufë me zambakë homazh, me shumë mirënjohje të gjithë atyre brezave, që na sollën, këngën mirditase kaq të pastër, burimore dhe me shumë vlerë, si dhe nipit tim muziktar, Besnik Gjoka, që Zoti e mori para kohe pranë vetës. Përveç këngëve, shoqëruar me nota pentagrami, lexuesi në këtë libër të arrirë, do të njihet me vlerësimet e figurave të shquara të muzikës, letërsisë etj., për Markun e krijimtarinë e tij të pasur. Poeti i njohur, Gjokë Beci, tek “Antologjia e shpirtit”, tek ky libër, shkruan: “Markut, ose adhurimit tim Markut ose floririt të madh të Mirditës së vogël. Me dashuri pa cak, Gjokë Beci”. “Elozhe për një antologji të pasur sa një jetë, do të shprehej Mjeshtri i Madh, Kalorës i Artë, Zhani Ciko, pa i letrarizuar më tej këto pak rradhë mbi këtë Antologji të kangës mirditore: Njëqind Zambakë Mirdite. Ti afrohesh dhe dy portat e randa hapen madhërishëm dhe ti veç ndjek përhumbshëm dritën e argjendtë, që të afron me naltinen e shkallarës së gurtë të Malit të Shenjtë. Ndjehesh bash si Marku oroshian tremijëvjeçar”. Për Orosh kurdelnë Mirditë /Zana e malit ka me të pritë / Ta lshon dritën e argjendtë / Mirë se vjen tek Mali i Shenjtë. “Krijimtari e shëndetshme, trashëgimi me integritet, do të theksonte kantautori i njohur, Esat Ruka, e Mark Gjoka, ky bard i kultivuar i një treve të spikatur të trojeve shqiptare”, “Melodioze dhe e virtytshme, si vetë qenia, që e mbart atë” do ta cilësonte poeti Gjergj Shyti, “Poeti që na ofroi rrugën për të mbushur shpirtin”, do ta konsideronte Gjon Dedaj – ish-kryetar i bashkisë, Rrëshen. Kënga mirditase është toka e qielli,ku jeton historia e saj, sot është një dukuri e jashtëzakonshme e komunikimit njerëzor, që dallon për llojin unikal që ajo përfaqëson, ku autori shprehet: se sapo kam prekur vetëm një aromë dashurie, të dashurisë time për këngën mirditore, ku e bekuar qoftë kënga juaj. “Pentagrami plot” Zambakë Mirdite”, i një muzikanti të afirmuar, do të shprehej publicisti i njohur, Ndue Dedaj, për krijimtarinë e pasur në vite të kantautorit e kompozitorit të njohur, Mark Gjoka. Si një nga mjeshtërit dhe lëvruesit më të shquar të këngës popullore e folklorike të trevës së Mirditës e më gjerë, kompozitor, këngëtar, instrumentist, orkestrues, në treg me shtatë albume muzikore, organizator i dhjetëra koncerteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Diasporë, që janë bërë pasuri e fondit të artë kombëtar të këngës mbarëshqiptare.

Në Mars 2014, Mark Gjoka & Tone Gjoka marrin pjesë në Kenga Ime 2014 me këngët "Lezha Ime" dhe "C’ka Te Ka Balli Qe Te Ban Drite".

Më datë 11 Shtator 2017, Mark Gjoka & Tone Gjoka publikojnë videoklipin "Prenge Bibe Doda".

Më datë 20 Gusht 2018, Kurt Lika, Tone Gjoka & Mark Gjoka publikojnë videoklipin "Mark Dod Alia".

Më datë 19 Nëntor 2018, Gjela Duka, Taulant Gjoka & Mark Gjoka publikojnë videoklipin "Mbretereshe".

Më datë 28 Nëntor 2020, Kole Zefi, Tone Gjoka & Mark Gjoka publikojnë videoklipin "Kosova Ime". Muzika e këngës u punua nga Mark Gjoka, teksti u shkrua nga Kole Zefi, ndërsa për orkestrimin u kujdes Saimir Gjoka.